“Besëlidhja nuk është rastësisht në krye të renditjes në Kategorinë e Parë dhe këtë do ta tregojë, duke u konfirmuar si pretendente, ndeshje pas ndeshjeje”, kështu ka deklaruar ditën e djeshme, për www.shkodrasport.com”, një nga futbollistët më stabël të ekipit lezhjan, e në mënyrë të veçantë në dy ndeshjet e fundit, që ka qenë më i mirë në fushë, Bruno Kepi.

Kjo skuadër, pasi kishte mundur më parë dy ekipe rivale si Elbasanin dhe Luftëtarin, javën, që kaloi radha i erdhi Lushnjës. Ndonëse Besëlidhja nuk fitoi, por mori një pikë të vlefshme dhe shumë të rëndësishme në transfertë, duke u mjaftuar edhe me pak, për të qenë në krye të klasifikimit të kampionatit të kësaj kategorie. “Të marrësh një pikë në Lushnjë, është vërtetë shumë mirë, pasi kemi të bëjmë me një rival direkt për në Ligën Superiore, pavarsisht se kishim mundësi që të fitonim. Megjithatë rëndësi, në këtë garë, sidomos në ndeshjet jashtë, është që të mos humbasësh”, ka vijuar më tej mbrojtësi shkodran i ekipit lezhjan. Më tej, duke analizuar edhe forcën e kësaj skuadre, për Bruno Kepin ngjitja e Besëlidhjes në krye të renditjes, nuk është një rastësi, i cili më pas rreshton disa faktorë, që e kanë sjellë këtë ekip deri këtu. “Po, normal, që dikujt mund t’i duket rastësi që Besëlidhja ndodhet aty, në krye të klasifikimit, por për ne, që jemi brenda skuadrës dhe punojmë çdo ditë me shumë përkushtim, nuk është rastësi, por diçka mëse normale. Duke parë investimet e presidentit Noka, përkushtimin në punë të trajnerit Kulli si dhe ndërtimi i një ekip, që çdo kush do ta kishte zili, ta kishte të tillë, si dhe me punën e përpjekjet e të gjithë, ne futbollistëve, Lezha e meriton të jetë në krye dhe kurrsesi nuk do të jetë një pozicion kalimtar, por shumë i qëndrueshëm, ka thënë ndër të tjerash mbrojtësi i Besëlidhjes. Në fund ai ka bërë të qartë, edhe një herë tjetër, faktin se Besëlidhja këtë sezon është pretendentja numër një për t’u ngjitur në Superiore, ndërsa konfirmimin tamam, si kryesuese, do t’ua japë fitorja e radhës, ndaj Besëlidhjes në Lezhë. “Besëlidhja do të jetë pretendentja kryesore për në superior, e padyshim, që do ta çojmë aty ku i takon kësaj skuadre. Ndeshja ndaj Butrintit, në fushën tonë, do të ketë vlerësim maksimal si çdo ndeshje tjetër, e që më pas padyshim do të konkretizohet me një fitore, duke u konfirmuar kështu si një ekip kryesues, duke gëzuar gjithashtë edhe tifozërinë tonë të zjarrtë”, ka mbyllur prononcimin e tij, mbrojtësi i Besëlidhjes, Bruno Kepi.