Temën ndoshta më të përfolurën ditët e fundit në futbollin shqiptar për trajnerin e kombëtares shqiptare Josip Kuzhe e ka komentuar edhe specialisti i futbollit Ramazan Rragami. Tema “Kuzhe” ka ngjallur debate e diskutime të shumta në opinionin e gjërë sportive, më të fundit edhe në emisionin “Arena Sport” në Tv Rozafa. Të ftuarit kanë prekur ëdhe çështjen “Kuzhe”. Specialisti Rragami ka deklaruar se një trajner janë rezultatet që e rrëzojnë apo që i japin të drejtë. “Një trajneri profesionin e tij nuk ia merr askush pavarësisht emërimeve apo shkarkimeve. Por ajo që e bën të dështojë apo të jetë i suksesshëm një trajner janë vetëm rezultatet që arrin me ekipin. Tani edhe Kuzhe ashtu si të tjerët para tij nuk arriti asgjë me Kombëtaren sepse ekipi siç po e shohim vijon me paraqtije të dobëta dhe është në vendet e fundit në grup. Duke u nisur nga kjo Kuzhe them që e ka mbyllur ciklin e tij me Shqipërine dhe do ishte mirë që ai vetë t’i linte hapësirë një tjetri” – ka thënë Rragami. Më tej i pyetur nëse do të sohte më mirë një trajner i huaj apo një shqiptar Rragami është i mendimit se zgjedhja e një trajneri të huaj është më e përshtatshme dhe për këtë ka edhe argumentin. “Do ishtë më mirë një i huaj sepse ka një tjetër autoritet në skuadër. Tashmë kemi mësuar se në futbollin shqiptar ka ndërhyrje nga më të ndryshmet, deri edhe tek Kombëtarja. Me një të huaj jo se nuk mund të ndodhin të tilla gjëra por ndoshta mundësitë janë shumë më të pakta për të ndërhyrë deri edhe tek perzgjedhja e lojtarëve. Megjithatë nga prononcimet e fundit të Presidentit të FSHF Armando Duka kam kuptuar se ka mundësi që nëse Kuzhe shkarkohet apo vetlargohet kësaj radhe Shqipërisë ti rikthehet në pankinë një trajner shqiptar. Por kjo është një e drejtë ekskluzive e Presidentit të FSHF Duka i cili vetëm ai vendos për emërimin dhe shkarkimin e trajnerit të Kombëtares” – ka përfunduar fjalën e tij specialisti futbollit Ramazan Rragami.