Ndue Mujeci e nisi karrierën e tij tek Vllaznia e më pas Ada, para se të kalonte tek skuadrat kampione e Letonisë Ventspils, ndërkohë që më pas nuk do të “ndalej” teksa do të luante në Gjeorgji, Bullgari, Qipron turke, Hong Kong e së fundi është stabilizuar për njëfarë kohe në Maqedoninë e Veriut.

Nga janari i këtij viti është bërë pjesë e ekipit “Akademia Pandev” por kontrata e tij është deri në fund të këtij sezoni sepse më pas, me shumë mundësi do të nisë një aventurë të re. Pse jo, në një kampionat të ri.

Ndërkohë, Mujeci i pyetur nga “Shkodra Sport” nëse ekziston dëshira për t’u rikthyer sërish tek Vllaznia, sulmuesi 27 vjeçari do të përgjigjej:

“Sigurisht që do të dëshiroja, pse jo të isha pjesë e Vllaznisë, ndonëse në fillim të karrierës time me këtë skuadër nuk mu krijuan shumë hapësira.

Unë gjatë këtyre viteve kam qenë gjithnjë në merkato dhe kam luajtur me shumë ekipe, por nga Vllaznia asnjëherë nuk kam pasë ndonjë kontakt apo ndonjë ftesë për të luajtur me të.

Nëse do të ndodhte këtë herë, pse jo do ta mirëprisja sepse kuptohet është skuadra ime e zemrës dhe do ta kisha për nder të veshja sërish fanellën e saj”.
© shkodrasport.com