Prej disa ditësh, Kombëtarja e Shqipërisë U-17 është grumbulluar për miqësoret kundër Turqisë. Në listën e më të mirëve të Shqipërisë U-17 çuditërisht nuk bën pjesë Gerald Kubazi, golashënuesi më i mirë i kampionatit të kësaj grupmoshe.
Në fakt, është shumë e çuditshme se si mund të qëndrojë në shtëpi futbollisti që po shkëlqen në kampionatin e 17-vjeçarëve dhe ka shënuar më shumë gola se gjithë të tjerët, plot 16 të tillë në 13-ndeshje të luajtura deri më tani. Pa paragjykuar askënd, tek ajo Kombëtare janë grumbulluar edhe futbollistë që nuk janë fare në formë.
Për më tepër që ndeshjet tani janë miqësore dhe është momenti për të parë sulmuesin e Vllaznia U-17. Edhe pse janë vendime të stafit teknik dhe trajnerit Ervin Bulku, një veprim i tillë duke mos grumbulluar golashënuesin më të mirë dhe lojtarin më në formë të kampionatit, i pret këmbët çdo futbollisti tjetër të ri.
Kjo do të thotë se edhe pse të rinjtë mund të shkëlqejnë në kampionatin vendas, të shënojnë gola pa fund, në këtë rast të jesh edhe golashënuesi më i mirë, siç është Gerald Kubazi, në fund nuk mund të grumbullohen në Kombëtare. Padyshim një shembull që nuk duhet ndjekur nga askush është mosgrumbullimi i Kubazit.
Me filozofinë e drejtuesve të Kombëtares duhet të luash jashtë vendit që të marrësh një fanellë në miqësore, sepse për ndeshje zyrtare dihet që duhet të jesh titullar në Angli, Spanjë apo Gjermani, edhe pse një gjë e tillë ndonjëherë sërish nuk mjafton…
Maringlen ZHIVANI