Ekipi kombëtar U-19 do të zhvillojë të enjten e 19 janarit një seleksionim 1-ditor, ku do të jenë të ftuar rreth 30 futbollistë të kësaj grupmoshe, të cilët aktivizohen me ekipet e kampionatit shqiptar. Ky seleksionim do të zhvillohet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe do të drejtohet nga trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu.

Lojtarët e thirrur në këtë seleksionim janë të vitlindjes 2005 dhe aktivizohen të gjithë në kampionatin shqiptar të moshës U-19. Qëllimi i këtij seleksionimi është vëzhgimi nga afër i elementëve të talentuar që janë pjesë e kampionatit vendas e që shihen si lojtarë potencialë për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare në të ardhmen.

Ashtu sikurse në çdo seleksionim, veç testeve fizike e taktike, futbollistët e thirrur do të kenë mundësinë të tregojnë cilësitë e tyre përmes një ndeshje kontrolli mes tyre.

Ky është seleksionimi i parë për këtë vit të ri futbollistik, teksa në javët në vijim, stafi i Kombëtares U-19 ka në plan edhe seleksionime e grumbullime të tjera edhe me lojtarë shqiptarë që aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, me qëllim përzgjedhjen e elementëve më cilësorë, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë.