Ajo që po ndodh aktualisht te Vllaznia, me lojtarët që refuzojnë të dalin në stërvitje apo vazhdojnë të luajnë pa u paguar, shumë shpejt mund të ndodhë në të gjitha klubet shqiptare dhe këta të fundit jo vetëm që nuk do të kenë fuqi të dënojnë lojtarët, por në fund do të humbasin gjyqet në radhë në FIFA për detyrimet e prapambetura.

Përtej asaj që deklarohet nga drejtuesit apo aludohet nga zyrtarë të FSHF mbi rrethanat e veçanta, “pagat e luftës” apo shtyrjes të kontratave për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e pandemisë, organizata ndërkombëtare ka paralajmëruar sot të gjitha klubet se nuk ka fuqinë që të shtyjë përtej afateve dhe të mbështetë mosrespektimin e kontratave të nënshkruara nga palët.

FIFA u ka dërguar një letër të gjitha federatave e ligave ku ka shpjeguar problemet me të cilat përballen në këtë periudhë delikate. Ajo duhet të shërbejë si një udhëzues i cili do të publikohet në vijim nga organizata ndërkombëtare, e cila kërkon edhe miratimin e ligave të ndryshme duke u nisur nga problemet me të cilat ato përballen e që mund të jenë të shumëllojshme në varësi të rajoneve e evoluimit të situatës së pandemisë.

Pika më e rëndësishme e kësaj letre të gjatë është sqarimi për të disatën herë i FIFA-s se nuk ka autoritetin për të modifikuar në mënyrë të njëanshme kushtet e saktësuara në një akord. Me fjalë të thjeshta, kontratat janë efektive deri në datën e caktuar në to dhe klubet e lojtarët duhet t’i respektojnë, me palën shkelëse që duhet të përgjigjet para organeve disiplinore të FIFA-s në raste ekstreme.

Ndaj çdo shkurtim, mospagesë detyrimesh me justifikimin e “pagës së luftës” apo shtyrje e përfundimit të kontratës deri në mbyllje të sezonit, duhet bërë nëpërmjet një akordi mes palëve, jo në mënyrë të njëanshme nga klubet që kërcënojnë lojtarët me pagat, siç ndodh rëndom në vendin tonë.

Në këtë situatë të pazakontë, pjesa më e madhe e klubeve shqiptare do të jenë të detyruara që në më pak se dy javë të gjejnë akordet me futbollistët që kanë në përbërje, pasi shumicës së tyre u mbarojnë kontratat më datën 31 maj. As klubi, as FSHF dhe as FIFA nuk do të kenë fuqi t’i ndalojnë lojtarët të largohen pa u hyrë ferrë në këmbë pas kësaj date.

Ndaj me konfirmimin e sotëm nga ndërkombëtarët, duket e qartë se klubet e Superiores duhet të ndryshojnë politikën e zakonshme të “kërcënimit” ndaj lojtarëve, përndryshe do të përballen me pasoja të rënda, si ajo me të cilën duket se do të përballet Vllaznia e cila po mendon të mbyll kampionatin me skuadrën e të rinjve. /vipsport/