Mbështetja e gjyqtarëve ndaj një skuadre apo një tjetre është diskutim në çdo kampionat në botë. Por në Spanjë, debati është pak më i ngushtuar, pasi gjithmonë është përfolur për mbështetjen që gjyqtarët i japin Real Madrid apo Barcelonës.

Eduardo Iturralde Gonzales, një emër i njohur i gjykimit në Spanjë dhe në arenën ndërkombëtare ka zbuluar se pjesa dërrmuese e “xhaketave të zeza” janë mbështetës të klubit të Florentino Perez.

“90% është në favor të Real Madrid, 10% i mbetur mbështet Barcelonën. Në përgjithësi, 70% ose 80% e popullatës spanjolle dashuron Real Madridin, edhe pse tani të rinjtë janë të dashuruar me Barcelonën falë fitoreve të siguruara nga Mesi dhe Guardiola”, tha ai.

Ish-gjyqtari edhe në vitin 2014 kishte deklaruar se mbështetja e të gjithëve në Spanjë ishte për dy klubet e mëdha kundrejt të gjithë të tjerëve. “Bëhesh gjyqtar pasi dashuron futbollin dhe nëse dashuron futbollin, dashuron një skuadër në veçanti.

Unë jam me fat që kam lindur në Bilbao, ku njerëzit janë tifozë me Atletik. Gjithsesi, në pjesën tjetër të Spanjës, pjesa më e madhe e personave bëjnë tifo për Realin ose Barcelonën, pasi janë skuadrat që fitojnë, është një fakt”, ishin asokohe fjalët e tij. /vipsport/