Akile Ndreca ka qenë një nga lojtarët e shumtë të rinj tek të cilët klubi i Vllaznisë nuk ka investuar në vitet e fundit. Djaloshi i cili shkëlqeu me ekipet e moshave të kuqebluve, tashmë gjendet në Itali, ku po përpiqet që të bëjë karrierë duke e filuar nga Seria D atje.

Por ai nuk e harron Vllazninë dhe në këtë situatë të rëndë që po kalon klubi shkodran, me lojtarët që bojkotuan stërvitjen e klubin që u kërkon të luajnë pa u paguar, ai nuk i ka rezistuar tundimit për të bërë komentin e tij për çështjen. Ndreca ka kujtuar edhe eksperiencën personale me klubin shkodran i cili sipas tij, po bëhet “gazi i botës”.

“Legjenda e radhës në Shqipëri për futbollin.

Lojtarët duhet të luajnë dhe pa lekë por dhe pa ushqim. Është si me than “Me shku në luftë pa armë”.

Gazi i botës.

Më vjen keq për ato djem nanash që as ushqimi s’ju jepet.

Por nuk është hera e parë. Kemi lujtur edhe ne me një fileto pule në bark një ditë para finales kundër Beses së Kavajës (u19).

Doni sukses, doni të ardhme, me këtë lloj menaxhimi as deri në banjo nuk shkoni.

Se harrova… Mos ofroni më kontrata 260 mijë lekshe”, shkruante talenti Ndreca në postimin e tij. /vipsport/