Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz “e ka kapur” me fushën e stërvitjes dhe pas humbjes së djeshme me Skënderbeun ka thënë ndër të tjera në prononcimin e tij për mediat se skuadra e tij prej 4 muajsh nuk stërvitet në bar por në një fushë me mjaft probleme e cila dashje pa dashje ka ndikuar në përgatitjet e skuadrës.
Për ta vërtetuar këtë gjë, vetë trajneri gjatë ditës së sotme ka publikuar me video fushën e stërvitjes ku dallohej qartë mungesa e barit por gjendja e keqe e kësaj fushe ku kuqeblutë përgatisin ndeshjet zyrtare të kampionatit.
Një veprim i tillë në fakt nuk është pritur mirë nga pronarët e fushës (ajo është marrë me qera nga ana e Klubit Vllaznia) të cilët kanë dërguar një mesazh në redaksinë e gazetës “Shkodra Sport” ku shkruajnë se stërvitjen ekipi nuk e ka ndërprerë për asnjë moment prej pesë muajsh në këtë fushë, duke edhe e keqpërdorur.
Nga ana tjetër, ata kanë dërguar edhe një foto dhe video të kësaj fushe dhe gjendjen e saj pikërisht më 15 shtator, para se Vllaznia të niste stërvitjen aty.
Pronarët e fushës po ashtu bëjnë të ditur se reshjet e shumta të shiut, normalisht që dëmtojnë jo vetëm atë por të gjitha fushat që janë me bar natyral dhe për më tepër, kur në to zhvillohen çdo ditë stërvitje.
www.shkodrasport.com