Atleti shkodran Gëzim Dimnaku vazhdon të spikasë dhe të dominojë në garat e veteranëve që zhvillohen në Kanada duke arritur një tjetër sukses. Ditën e sotme ai është shpallur kampion i Quebek-ut në pesëgarësh për salla të mbyllur në kampionatin e vitit 2020.

Por suksesi i sotëm nuk është thjesht një titull kampion. Me rezultatin e arritur në këtë garë, ai ndodhet i pari në ranglistën botërore në pesëgarësh për sportistët veteranë të moshës 30 vjeç e lart.

Dimnaku dallohet si një sportist i talentuar dhe shumë i përgatitur që vazhdon të dallohet në të gjitha garat ku merr pjesë. Kështu ka ndodhur edhe sot në kampionatin e sallave të mbyllura në qytetin SHERBROOKE të Kanadas. Ai ka konkurruar me sukses në 60 metra me pengesa, kërcim së gjati, kërcim së larti, hedhje gjyle dhe 1000 metra vrapim. Të pesë këto gara do të bëhen në një hark kohor prej 4 orësh dhe natyrisht që kjo nuk është e lehtë, por kërkon një përgatitje të lartë.

Atleti shkodran jo vetëm ka arritur rezultatet më të mira në të gjithë sportistët e tjerë pjesmarrës, por ka shkuar edhe më tej duke thyer edhe rekordin në hedhjen e gjyles teksa e ka hedhur atë 11.13 metra, që është edhe rezultati më i mirë i gjithë karrierës së tij sportive 38 vjeçare.

Padyshim që rezultatet e sotme dhe renditja e tij në vendin e parë në botë për pesëgarëshin, e bëjnë Gëzim Dimnakun që figurë shumë të respektuar jo vetëm në atletikën kanadeze por edhe më tej. Rezultate këto që vijnë pas punës së madhe që ai bën çdo ditë në stërvitje.
© shkodrasport.com