UEFA do të marrë nesër në orën 13:00 një vendim shumë të rëndësishëm lidhur me të gjitha aktivitetet futbollistike evropiane për klube dhe gjithashtu ekipet Kombëtare.

Një ditë përpara këtij vendimi, “Panorama Sport” ka kontaktuar direkt me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

I pyetur se çfarë do të bëjë FSHF-ja me kampionatin dhe a ka një plan B nëse situata zgjat më shumë nga sa është parashikuar, Duka la të hapur mundësinë e vazhdimit të javëve të mbetura në Superiore dhe kategoritë e tjera të futbollit shqiptar në muajin qershor.

“Duhet të ndjekim situatën hap pas hapi, por mendoj se kampionatin mund ta luajmë në qershor”, deklaroi shkurtimisht presidenti i FSHF-së.

Kujtojmë se në Superiore kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur, ndërsa Kupa e Shqipërisë nuk ka zhvilluar ende ndeshjet e para të turit çerekfinal.