Ardhja e tyre në Shkodër në fillim të korrikut u pat shoqëruar me jo pak polemika. Njeriu që pretendoi të merrte postin e kryetarit të Bashkisë Shkodër, njëkosisht edhe postin e presidentit të Vllaznisë- Valdrin Pjetri, në një dalje publike i bëri një apel administratorit të klubit Suad Lici.
Pjetri i kërkonte numrit 1 të klubit shkodran të mos bënte “qoka” duke marrë lojtarë rezervë nga ekipet e tjera dhe këtu i referohej firmosjes së kontratës me dy ish- futbollistët e Kastriotit Herald Marku dhe Dajan Shehi.
Në atë periudhë pat reaguar edhe menaxheri i këtyre dy lojtarëve Elton Marini që me një letër publike i drejtohej “kryebashkiakut në ardhje” duke i thënë se “ju nuk jeni askushi për të gjykuar dy djem të rinj profesionistë, të cilët nënshkruan së fundi me Vllazninë, Dajan Shehi dhe Herald Marku”.
Dhe në fakt, Marini që ua sugjeroi dhe drejtuesit e Vllaznisë që u besuan, duket se kanë patur të drejtë për këto dy lojtarë. Si Shehi në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe Marku në rolin e mbrojtësit të majtë (jo pozicioni i tij natyral) kanë bërë një performancë të mirë në këto shtatë javët e para të kampionatit dhe kësisoj “e kanë kaluar provën”.
Për këtë arsye, menaxheri Marini ka reaguar sërish dhe me një mesazh dërguar në redaksinë e “Shkodra Sport” shkruan: “Une nuk entuziazmohem per klasifikimin e Vllaznise por me vjen mire qe opinioni po kupton qe Shehi dhe Marku jane dy nga lojtaret qe po japin maksimumin per fanellen. Edhe pse dikush mendonte ndryshe pas prezantimit te tyre”.
www.shkodrasport.com