Vitet kalojnë, por nuk ndihen aspak mbi supet e Isli Hidit. Portieri më i vjetër në Superioren e këtij sezoni nuk mjaftohet vetëm duke shpëtuar portën, por hidhet në aventurë edhe me gola të shënuara nga pika e bardhë e penalltisë.

Madje në ndeshjen e fundit do të merrte rolin e heroit, pasi mposhti Enea Koliçin duke i dhënë tre pikët ballshiotëve kundër Skënderbeut. Në një intervistë për “Fax Sport”, Hidi ka treguar se dëshira e tij e madhe është që ta mbyllë karrierën tek Tirana. Ndërsa kur flitet për akuzat e Vllaznisë drejt Bylisit, për ndikimet mbi arbitrat, gjithçka hidhet poshtë duke i konsideruar si aludime pa baza.

“Te Bylisi përveç rolit të portierit e kam ndihmuar ekipin edhe me golat e shënuara. Në fakt nuk jam i pagabueshëm nga pika e bardhë, pasi kam gabuar në dy raste. Por qetësia dhe eksperienca më kanë ndihmuar dhe dua ta ndihmojë ekipin me arritjen e objektivave. Doja që të shënoja një gol në karrierë, tani kam bërë pesë të tillë në kampionat dhe një në Kupë. E di që duket pak e çuditshme, por kur isha më i ri kam luajtur edhe në sulm edhe në portë.

Ndeshja e radhës me Kukësin? Po në fakt ne kemi nxjerrë ndeshje të mira dhe kemi marrë pikë me ekipet e mëdha, problemet i kemi skuadrat e vogla. Karrierën do ta mbyll në momentin që do të shoh se nuk arrij të stërvitem siç duhet apo kur të mos përballojë aspektin psikologjik dhe tensionet e ndeshjes. Deri tani jam mirë në këtë drejtim dhe nuk ka një datë fikse.

Çdo lojtar bën një bilanc me veten dhe dëshiron ta mbyllë atje ku është rritur, ku është formuar dhe ku ka fituar trofe. Unë dëshiroj ta mbyll te Tirana, është një dëshirë e brendshme dhe ëndërr në sirtar. Nuk është e pamundur dhe le të shohim sesi do të zhvillohen gjërat. Sa për akuzat e Vllaznisë, aludojnë kot në ajër dhe pa baza”, tha Hidi. /Sport Ekspres/