Pas akteve të dhunës të shfaqura në stadiumin “Selman Stërmasi”, ka ardhur edhe reagimi nga klubi bardheblu. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, klubi i Tiranës është distancuar nga çdo akt dhune i shfaqur në stadium duke i bërë thirrje Partizanit që të bashkëpunojë me policinë pasi një klub nuk mund të marrë rolin e hetuesit dhe prokurorit.

Reagimi i Tiranës:

“Klubi i Futbollit Tirana distancohet nga të gjitha aktet e dhunës, shfaqjet e shëmtuara jo sportive dhe dënon ashpër te gjitha problematikat e krijuara nga tifozët në ndeshjen Tirana – Partizani.

KF Tirana ka zbatuar me rigorozitet planin e masave te hartuar me Policinë e Tiranës për mbarëvajtjen e takimit brenda dhe jashtë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Në përfundim të takimit, klubi ka vënë në dispozicion të Policisë, serverat e sistemit të kamerave të stadiumit, për të gjetur dhe dënuar më pas përgjegjësit e incidenteve në stadium por edhe autorët e incidenteve të mbetura fatmirësisht në tentative.

Klubi i Futbollit Tirana është një klub futbolli dhe jo një institucion policior. Si i tille, konform të gjithë rregullave të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ligjeve të Shtetit Shqiptar, kemi marrë masa organizative për ndeshjen, si dhe dokumentuar me pamje filmike incidentet dhe dorëzuar ato më pas në institucionet përkatëse.

Ftojmë KF Partizanin të ruajë qetësinë, bashkëpunoje me Policinë nëse disponon materiale filmike apo prova për të gjetur autorët dhe fajtoret e incidenteve ne stadium. Një klub futbolli mund dhe duhet të mos kaloje kompetencat për të folur nxituar herë si hetues dhe herë të tjera si prokuror”, shkruhej në reagim. /VipSport/