Më në fund, pas tre javësh zhgënjyese Real Madrid shijon një fitore në Bernabeu pasi ka mundur Deportivo-n me rezultatin e thellë 7-1. Në tre ndeshjet e fundit skuadra e Zidane kishte dy humbje dhe një barazim dhe një hap fals sot ndaj një vendi që rrezikon të bjerë nga kategoria do të kishte qenë fatal për trajnerin francez i cili rrezikonte shumë shkarkimin. Dhe në fillim u duk sikur do të ishte një tjetër ndeshje zhgënjyese me një rezultat negativ pasi ishin vizitorët ata që kaluan të parët në avantazh me golin e Adrian në minutën e 23’.

Por Real reagon menjëherë dhe Nacho barazon rezultatin në minutën e 32’ pas një asisti fantastik të Marcelo-s. Pak përpara se të përfundonte pjesa e dytë ishte Gareth Bale ai që kaloi për të parën herë Los Blancos në avantazh me një gol spektakolar.

Pas pushimit merenguesit ruajtën qetësinë dhe menaxhuan mirë lojën duke gjetur edhe tre gola të tjerë. Në fillim ishte sërish Bale. Pas tij ishte Luka Modric me një gol plot klas në hyrje të zonës. Ronaldo arriti të shënonte emrin e tij në listën e golashënuesve në minutën e 78’ me një goditje të bukur nga brenda zonës dhe me një tjetër gol të shënuar me kokë pak minuta më pas nga i cili mbeti edhe i dëmtuar.

Në fund ishte edhe Nacho që finalizoi dopietën e tij, i treti lojtar brenda një ndeshje të vetme. Me këtë fitore Real ngjitet në vendin e katërt me një ndeshje më pak se të tjerët dhe është 16 pikë larg Barça-s./telesport/