Vera po kalon, por objektivi i Realit të Madridit është i njëjtë. Nuk ka ndryshuar në muajt e fundit, madje as në vitin e fundit. Në axhendën e klubit është një emër si Kilië Mbape. Të gjitha lëvizjet fillojnë dhe mbarojnë rreth sulmuesit francez.
Madrilenët janë duke parë realisht situatën nëse kanë mundësi për ta transferuar brenda 2 shtatorit të këtij viti apo në sezonin e ardhshëm. Rivali që ka Reali përballë nuk është i thjeshtë, por madrilenët i kanë bërë me dije se iu intereson Mbape. Drejtuesit e PSG-së janë duke lëvizur dhe i tremben një sulmi nga ana e Madridit.
Po tentojnë që ta bindin Mbapenë sa më shumë të jetë e mundur, edhe pse janë duke menduar edhe planin “B”. Mesi apo Ronaldo mund të transferohen në Francë, edhe pse sot për sot duket diçka e vështirë, ose thuajse e pamundur.
YLL TË EKIPIT- Duke qenë se dy lojtarët e mësipërm ndoshta nuk transferohen në Francë, ylli i vërtetë i kësaj skuadre është dhe do të jetë Mbape. PSG-ja po mendon seriozisht që t’i ofrojë kampionit të botës një kontratë jashtë normales, shumë larg mundësive që ka Reali i Madridit apo çdo klub tjetër që nuk pretendon të thyejë rregullat.
Mbape ia ka bërë të qartë klubit, drejtuesve, trajnerëve dhe shokëve që ideja e tij fillestare është të mos e rinovojë kontratën. Raporti mes tij dhe trajnerit është i shkëlqyer dhe Poçetino është i pari që shpreson të ndryshojë mendjen. Për momentin nuk ka një zgjidhje të favorshme për klubin. E di trajneri, drejtori sportiv Leonardo dhe presidenti Al Khelaifi.
FRIKË NGA HUMBJA- PSG-ja ka disa javë që po trondit merkaton. Në Paris e dinë që mundësia për ta shitur Mbapenë është reale. Ata e dinë vështirësinë ekonomike për t’i ofruar Mbapesë një rrogë shumë të lartë.
Mbape mund të ketë rrogë të njëjtë si Nejmari, por ai dëshiron të shkojë në Madrid. Edhe miku i Benzemasë, Mohamed Heni, i cili është një nga njerëzit më të ndjekur në rrjetet sociale, thotë se Mbape do të transferohet te Reali. “Mbape do të shkojë te Reali i Madridit”, ishin fjalët e tij në rrjetin social “YouTube”, ku ndiqet nga miliona fansa.