Kaosi që ka përfshirë Juventusin mund të bëjë që nëse 15 pikët nuk rikuperohen, ose të paktën ato të ulen në shkallët e tjera të drejtësisë, në fund të sezonit, pa kualifikimin në Champions, i cili duket tashmë një mision i pamundur, ndonjë prej yjeve të mund të sakrifikohet për të mbajtur në këmbë kolonat e bilancit të klubit, që janë tronditur shumë shpesh nga periudha e COVID-it e deri më sot.

Dhe lidhur me këtë mundësi, frika shtohet nëse në skenë futen “peshkaqenët” e Realit të Madridit.

Edhe pse mes Florentino Perezit dhe Andrea Anjelit ekziston një miqësi e ngushtë, por edhe interesa të përbashkëta siç ishte Super Liga, gjithsesi kur Reali ndien erën e gjakut është e vështirë që të ndalet dhe nga Spanja sigurojnë se ata kanë vënë në shënjestër Federiko Kiezën.

Ylli i Juventusit duket përforcimi i duhur për repartin sulmues, pasi u dribluan keq nga Mbape dhe Perez ka gati një thes me miliona për lojtarin më të fortë italian në qarkullim.

Baza e ofertës madrilene duket se është te 70 milionë eurot, por për një si Kieza është e lehtë që të ngrihen edhe më tej, pse jo të arrijnë deri aty sa të prekin apo t’i afrohen 100 milionëve.