Viti 2023 është te dera dhe në Madrid, te Reali kanë nisur të bëjnë një bilanc të 2022-shit që po mbyllim. Viti kalendarik 2022 ka qenë magjik për të gjithë madrilenët.

Skuadra e Karlo Ançelotit ka arritur suksese të shkëlqyera, ku bie në sy triumfi në Ligën e Kampioneve, që ishte qershia mbi tortë. Asaj natyrisht i shtohet titulli numër 35 në La Liga.

Mediat spanjolle i kanë bërë një rezyme vitit të Realit, duke renditur pikat kulmore, me pjesën “e luanit” që mban suksesin historik në Ligën e Kampioneve.

KUNDËR PARISIT… Për të qenë të saktë kundër UEFA-s, Katarit dhe futbollit modern. Gjithçka nisi me polemikat e shortit në Ligën e Kampioneve, ku me përsëritjen e shortit, madrilenët u gjendën përballë Paris SG-së.

Francezët shiheshin favoritë absolutë, veçanërisht edhe pas ndeshjes së parë në Paris. Por në Madrid ishte tjetër histori. Reali përmbysi gjithçka, me Alabanë që u “çmend” duke festuar me karrige. Nga ana tjetër presidenti i PSG-së, Al-Kelaifi sulmonte gjyqtarët dhe disa punonjës të klubit spanjoll!

ÇELSI, “VIKTIMA” E RADHËS – Pas PSG-së, një tjetër kockë e fortë për Realin, Çelsi kampion në fuqi në Champions. Dy ndeshje të çmendura në Londër e në Madrid, që në fund u mbyllën me Realin në gjysmëfinale!

ÇMENDURIA ME SITIN – Hapi i radhës në Ligën e Kampioneve ishte Mançester Siti i Pep Guardiolës. Reali doli i humbur nga “Etihad” 3-4, por mrekullia do të konsumohej sërish në “Bernabeu”.

Në minutën e 89-të, Siti kryesonte 0-1 në Madrid, por në dy minuta Reali përmbysi gjithçka, duke e çuar takimin në shtesë, ku më pas kaloi për të gjetur Liverpulin në finalen e Parisit.

KURTUA SI LEV JASHIN – Kryevepra e Realit në Ligën e Kampioneve do të materializohej plotësisht në finalen e Parisit. Vinicius shënonte për Madridin, ndërsa Kurtua priste gjithçka vinte drejt portës së tij, duke i dhënë trofeun numër 14 në histori klubit të bardhë.

LA LIGA – Në Madrid është bërë si traditë që të zgjedhin Ligën e Kampioneve si të parën në listë ndër trofetë. Por përpara se të fitonte Champions-in numër 14 në historinë e vet, Reali më herët në maj kishte fituar kampionatin spanjoll për herë të 35- të në histori. Reali e dominoi tërësisht La Ligën nga java e parë e deri në të fundit.

SUPERKUPAT – Me njërën Superkupë (e Spanjës) e nisin listën e trofeve, me një tjetër Superkupë (e Europës) e mbyllin. Para se të fitonte La Ligën dhe Ligën e Kampioneve, Reali kishte fituar në fillim të vitit Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite! Ndërkohë që në verë erdhi dhe triumfi në Superkupën e Europës, duke dominuar me lehtësi përballë Eintrahtit të Frankfurtit.

“TOPI I ARTË” – Një tjetër moment i mrekullueshëm i sezonit: çmimet individuale. Shumë emocionuese të shohësh Karim Benzemanë në krye. Sulmuesi nga Lioni shkëlqeu në sezonin e tij dhe fitoi të gjitha çmimet individuale. Në fund të vitit 2022, Real Madrid mblodhi frytet e punës së bërë gjatë gjithë vitit.

“KLASIKJA” E FUNDIT – “Bernabeu” u drodh përsëri në një “El Cásico” fantastike kundër Barçës. Një dominim i plotë i skuadrës së Ançelotit, me Realin që fitonte 3-1 në një përballje që mund të kishte përfunduar me shifra edhe më të thella për vetë rastet e krijuara.

DERBI – Suksesit ndaj Barcelonës iu shtua dhe triumfi në derbin kundër Atletikos, në një ndeshje që shkaktoi shumë polemika për shkak të ofendimeve raciste të tifozëve të Atletikos ndaj Vinicius Zhunior.

ENDRIK – Për të mbërritur në fund, në dhjetor, me firmën e Realit me sulmuesin 16-vjeçar, Endrik. Madrilenët mundën rivalitetin e Barcelonës për brazilianin.