Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri dhe për cilindo që e ka veshur fanellën bardheblu, përvoja, emocionet dhe përfitimi kanë qenë të mëdha.

Ndër ato që gjithashtu i kanë dhënë shumë kësaj fanelle dhe këtij klubi, është edhe shkodrani Hamdi Salihi. Megjithëse kohët e fundit ka luajtur edhe kundër saj, bomberi shkodran tregon emocionet si e ndjek derbin e kryeqytetit dhe në një intervistë për “Panorama Sport” jep këshillën e artë për bardheblutë, si duhet të luajnë ndaj të kuqve.

Gjithashtu, fituesi i një titulli, i një Kupe dhe dy Superkupave me Tiranën në sezonet 2005-2007, parashikon se do të jetë një bashkëqytetar i origjinës së tij, që do ta vendosë derbin.

Salihi, shumë vite të shkuara, ama keni qenë pjesë e Tiranës. Si mund t’i shënohet Partizanit në derbi, referuar eksperiencës suaj dhe aktualitetit?

Situatat për hir të së vërtetës janë shumë ndryshe me shumë vite më përpara. Por, derbi mbetet gjithmonë i njëjti. Duke qenë një ndeshje shumë e ngarkuar emocionalisht, shumë herë goli në derbi vjen si pasojë e gabimeve të kundërshtarit. Prandaj them se përveç aftësive individuale dhe kolektive, lojtarët duhet të jenë shumë të përqendruar në çdo moment, duke shfrytëzuar çdo gabim të kundërshtarit, që në derbi ndodhin gati gjithmonë.

Si mund ta fitojë Tirana derbin, çfarë nuk duhet të bëjë?

Mendoj se Tirana duhet të mbrohet shumë mirë në fillim dhe mos të hidhet në sulm pa logjikë vetëm nga dëshira që kanë për ta fituar derbin. Duhet ta kuptojnë se është Partizani ekipi që nuk duhet të humbë pikë medoemos për vetë objektivin që ata kanë.

Si e përjeton derbin e kryeqytetit një shkodran?

Një shkodran i thjeshtë e shikon me kënaqësi derbin, por pa shumë emocione. Kurse një shkodran që ka luajtur te Tirana dhe ka kujtime të jashtëzakonshme nga ai ekip, besoj se e shikon njësoj siç e shikon një tifoz i Tiranës (qesh…).

Edhe i fundit që e vendosi ishte një shkodran: Hebaj…

Duke qenë se në të dyja ekipet luajnë shkodranë, besoj dhe shpresoj se edhe këtë derbi do e vendosë prapë një shkodran.