Presidenti i Tiranës, Refik Halili nuk e ka kapërdirë lehtë humbjen dhe nuk kursen kritikat për lojtarët e tij por pa harruar edhe organizimin e ndeshjes ku loja u ndërpre shpeshherë.

“Nuk dua të bëj shumë komente, ishte një ndeshje që nuk meritonim ta fitonim. Skuadra ishte në një ditë jo të mirë, kishte pasur edhe ndeshje të tjera në të kaluarën, ku nuk kemi bërë mirë, si sot. Kam besim që skuadra do të dalë nga kjo situatë, siç ka dalë herë të tjera. Do të ishte mirë të vazhdonim në të njëjtin ritëm siç kemi bërë zakonisht në shumë ndeshje. Shpresojmë në të ardhmen të marrim masat që të vazhdojmë drejt rrugës siç kishim nisur në fillim.

Ndalesat? Ishte shumë e mërzitshme se shumë ndërprerje të lojës nuk i bëjnë mirë as skuadrave, as lojës, nuk i bën mirë të dy skuadrave. Ishte pak e mërzitshme, shpresojmë që me shumë kujdes, duhet edhe ndihmë e mediave, pa dashur të godasim ndokënd. Por siguria e cila merr përsipër të mbajë rregull që të mos ketë sende të forta a fishekzjarrë, të jetë më e përgjegjshme dhe të marrin masat.

Nuk ka nevojë të na kontrollojnë ne që të heqim tapat e shisheve por të shohin bombat që futen në fushë se nuk është e mirë për futbollin shqiptar. Shpresoj që në bashkëpunim edhe me federatën të rregullojmë këtë punë që të mos ketë ndërprerje të tilla. Tifozeria është e mrekullueshme, e pa ta nuk ka futboll, por të rregullohet pak kjo.

Nuk dua të bëj specialistin, por është një kampionat i fortë, i egër, skuadrat janë aty-aty. Nuk është kampionat i dobët, por shumë-shumë i fortë, ndaj kanë këto rezultate që herë një skuadër e herë një tjetër fiton.

Të them që t’ia vëmë fajin njërit e tjetrit, ka shumë për të diskutuar se ka shumë gjëra. Janë pjesë e brendshme e klubit, do të diskutohen me njëri-tjetrin. Jemi të bindur se skuadra ka elementë të mirë, do të dimë të ecim para dhe do të ecim drejt objektivit që kemi thënë që në hapat e parë”, tha Halili pas ndeshjes.