Reali i Madridit do të presë sonte në mbrëmje (18:30) Atletikon në një derbi që pritet të jetë spektakolar. Një ndeshje e veçantë edhe për teknikun italian, Karlo Ançeloti, i cili përballet me atë që konsiderohet si “macja e zezë” në La Liga.
Në shtatë takime që Ançeloti është përballur me Atletikon në La Liga në të dy periudhat e tij te Reali, Ançeloti ka fituar vetëm dy, teksa numëron katër humbje kundër skuadrës që drejtohet nga Simeone.
Asnjë rival tjetër veç Barcelonës nuk e ka mundur kaq herë në La Liga Ançelotin sa Atletiko e Madridit (janë llogaritur vetëm skuadrat me të cilat Ançeloti është përballur 5 ose më shumë herë).
Ndërkohë, që një ndeshje tjetër mes të dyve është mbyllur në barazim. Gjithsej, Ançeloti ka marrë 7 nga 21 pikët e mundshme.
As Barcelona nuk i përmirëson shifrat e Atletikos kundër Realit të Madridit në La Liga-n e Karleto Ançelotit: në shtatë ndeshjet e tyre ka pasur tri fitore për italianin kundër katër për katalanasit, me Ançelotin që ka mundur t’i marrë 9 pikë Barçës.
Në etapën e parë të Ançelotit në krye të Realit, në katër takime kundër rivalëve të qytetit, italiani nuk mundi të fitonte asnjë takim -3 humbje dhe vetëm një barazim.
Ançelotit iu desh të priste etapën e dytë në krye të “Los Blancos” për t’iu gëzuar sukseseve ndaj Atletikos në La Liga. Suksesi i tij i parë erdhi në ndeshjen e pestë kundër Atletikos në kampionatin spanjoll, në javën e 17-të në 2-0.
Suksesi i dytë i Ançelotit në La Liga kundër Atletikos në La Liga do të vinte në fazën e parë të sezonit aktual, kur të besuarit e Ançelotit fitonin 1-2 në “Metropolitano”.
PJESË E HISTORISË – Derbi i Madridit është dhe një përballje mes dy teknikëve. Ançeloti dhe Simeone janë pjesë shumë e rëndësishme e kësaj përballjeje. Si trajnerë të dy skuadrave, Ançeloti dhe Simeone do të përballen për herë të 18-të mes tyre.
13 derbi në sezonet 2013-2014-ës dhe 2014- 2015-ës – mes të cilëve dhe finalja e Ligës së Kampioneve në Lisbonë. Në etapën e dytë të Karlos te Reali, trajnerët janë përballur katër herë mes tyre me 3 suksese të italianit dhe një barazim.