Gjeografia e futbollistëve shkodranë vazhdon të hapet çdo ditë e më shumë në mbarë botën. Tashmë kemi edhe në Kanada një lojtar i cili premton shumë për të ardhmen. Nga mbiemri në fakt nuk është aspak i panjohur- Dibra, por edhe nga tradita familjare, nuk ka si të jetë ndryshe.

Ai është djali i ish- mbrojtësit të Vllaznisë Ilir Dibra i cili siç dihet, prej pak vitesh tashmë është shpërngulur bashkë me familjen e tij në Kanada, vend ku tashmë po vijon karrierën e tij i biri.

I datëlindjes 30 mars 2003, Rei u angazhua shpejt me futbollin duke qenë pjesë e ekipeve të Akademisë Vllaznia, por nga viti 2017 bashkë me familjen e tij ka udhëtuar drejt Kanadasë, për t’u vendosur tashmë atje.

Por ndonëse në një vend tjetër, Rei Dibra do të angazhohej menjëherë me ekipet e futbollit të këtij vendi dhe fillimisht do të rregjistrohej me ekipin PSG Montreal U14, ndërkohë që më vonë është bërë pjesë e ekipit FS Salaberry U15 ndërsa së fundi është pjesë e ekipit St Lambert U17 në Quebek.

Ashtu si i ati, edhe ai luan në rolin e mbrojtësit të qendrës, është i gjatë 1.90 m dhe premton shumë për të ardhmen. Specialistët kanadezë e shohim me sy shumë të mirë dhe padyshim që karriera e tij ka ardhur në rritje.

Me siguri që Rei Dibrën shumë shpejt do ta shohim në ekipe të njohura të këtij vendi. Ai ka bërë një progres shumë të madh dhe karriera e tij po i ngjit hapat një e nga një. Djaloshi 17 vjeçar ka ende se çfarë të mësojë, megjithatë tradita familjare ka treguar se mund të jenë të suksesshëm dhe ai e ka të qartë këtë gjë.
Gjergj KOLA