Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka komentuar ndeshjet e para të Serisë A, për të dhënë një ide mbi gjendjen e skuadrave dhe atë që parashikon ai pas këtyre paraqitjeve të fillimit. Tekniku është ndalur sidomos te situate e Napolit e ka komentuar paraqitjet e Elseid Hysajt, i kthyer në një lojtar të pazëvendësueshëm për trajnerin Gatuzo.
“Me Ançelotin nuk ishin në sintoni, me Gatuzon skuadra kishte një rendiment krejtësisht ndryshe. Çdo herë që luante ishte një provim, ndërsa këtë vit ndjen besimin dhe ka një raport të mirë me trajnerin. Ka bërë gjithmonë ndeshje të mira, i kam bërë komplimente më shumë se një here.
Më jep përshtypjen se luan më mirë në krahun e majtë, pasi futet nga brenda me këmbën e djathtë. Po bën mirë, uroj që të vazhdojë kështu”, ishin fjalët e Rejas për “Radio Marte” ku komentoi edhe luftën për titull.
“T’i gëzohemi këtij Napoli në qetësi, me përulësi të madhe. Është ende herët, por duhet shfrytëzuar momenti. Që kur ka ardhur Gatuzo, skuadra ka fituar siguri dhe vetëbesim.
Juventusi nuk ka ende një lojë të konsoliduar dhe duhet përfituar, pasi Napoli ka siguri më të mëdha në krahasim me ekipet e tjera, edhe pse Interi ka një përbërje të jashtëzakonshme ndonëse nuk është ende në rregull”, theksoi Reja. /vipsport/