Pas disfatës ndaj kampionëve të Francës, Shqipëria e Edi Rejës arriti të bënte autokritikë në eliminatoret e Europianit 2020, teksa mposhti Islandën me rezultatin 4-2.

Në një intervistë për “Tuttomercatoweb”, trajneri i Kombëtares, foli me superlativa për gjendjen e kuqezinjve, teksa veç të tjerave evidentoi se në Shqipëria i kanë thënë se nuk e kanë parë asnjëherë Kombëtaren të luajë në këtë formë.

“Tani për tani, Hysaj nuk është prekur nga mos luajtja te Napoli. Ai shënoi një gol të bukur kundër Islandës. Unë e shfrytëzoj shumë në gjysmëfushën kundërshtare, dhe ka treguar se është shumë i aftë”, e nisi prononcimin e tij tekniku.

A po rritet Gjimshiti te Atalanata?

E kam pasur edhe para shumë viteve, ishte një lojtar i mirë. Por, tani është pjekur dhe po bën më shumë se mirë. Është gjithnjë një nga më të mirët. Pavarësisht problemeve në mbrojtje, ai është gjithnjë i mjaftueshëm.

Me fitoren kundër Islandës u rikthyet në rrugën e duhur…

Do të jetë e vështirë sepse është transferta me Turqinë, shumë impenjative. Duhet ta fitojmë atë dhe më pas me Moldavinë në transfertë për të pasur shpresa. Ndryshe bëhet e vështirë. Dhe Turqia në shtëpi ka mundur Francën, është një fushë e vështirë. Pastaj rezultati asnjëherë nuk mund të merret i mirëqenë, e kemi parë edhe në kampionatin italian. Ka rezultate surprizuese.

A janë të kënaqur njerëzit?

Grupi jonë nuk është i lehtë. Franca është jashtë llogarive, por edhe Islanda është një ekip i mirë, por ne e kemi mundur me meritë. Po bëjmë një punë të mirë, kam ndryshuar disa lojtarë duke aktivizuar të tjerë të cilët e provuan se ishin të mirëpërzgjedhur. Jemi në progres. Në Shqipëri më thonë se nuk e kanë parë Kombëtaren të luaj futboll në këtë mënyrë. Shpresoj të bëj edhe më mirë”, u shpreh Reja.