Dita e parë e grumbullimit të Juventusit për sezonin e ri nuk ka nisur ashtu siç e parashikonin bardhezinjtë. Duket se klubi këtë vit do të përballet me furinë e ultrasve, të cilët nuk kanë pëlqyer fjalët e administratorit Arrivabene e aq më pak faktin se klubi ka rritur çmimet e abonimeve vjetore.

Kështu, në rrethimin e “Allianz Stadium” janë shfaqur disa parulla që i drejtoheshin klubit dhe drejtuesve të tij për këto veprime të fundit.

“Ne jemi ultras dhe duhet të na pranoni si ultras. Të lirë të bëjmë tifo, të lirë të dashurojmë. Si në të gjithë stadiumet e Italisë”, “Në fillim na largon e pastaj ankohesh, na e kurse moralin, ne nuk jemi klientë” dhe “700 euro turpi”, ishin parullat e varura në rrethimin e impiantit që tregonin qëndrimin e tifozerisë së zjarrtë të bardhezinjve.

Ultrasit kanë shprehur hapur pakënaqësinë për çmimin prej 700 eurosh që klubi u ka vendosur aboneve vjetore për tribunat e tyre pas porte. Ndërsa thumbimet ishin për Arrivabenen, i cili pak ditë më parë deklaroi se në stadium nuk duhej të vinin tifozë që kritikonin ekipin, por ata që ishin në stadium vetëm duhej ta mbështetnin atë në çdo mënyrë e në çdo situatë.