Ditët e fundit është diskutuar jo pak edhe për pozicionin që Elvis Plori do të marrë te Vllaznia me nisjen e sezonit të ri dhe “Shkodra Sport” në fakt ishte e para që publikoi lajmin që ai do të merrte drejtimin e ekipit U21 të kuqebluve.

Vetë trajneri në fakt e ka anashkaluar disi këtë çështje, por gjithsesi e ka pranuar se do të punojë për të formuar lojtarë të rinj për Vllazninë dhe ekipet kombëtare.

Një deklaratë të tillë ai e ka bërë në emisionin “Fair Play” ku ka qenë i ftuar, ai ndoshta nuk ka dashur që të zyrtarizojë vetë postin që do të marrë, para se këtë gjë ta bëjë vetë klubi.

“Unë tani jam i lidhur përsëri me Vllazninë, jam i lidhur ngushtë me atë klub sepse kjo nuk është thjesht çështje karriere, por edhe ngaqë kam një miqësi shumë të mirë me presidentin Xhaferi.

Bashkë me të kemi nisur një projekt dhe them se duhet ta çojmë deri në fund dhe duke llogaritë gjithçka, mendoj se sa të jem pjesë e Vllaznisë, ta shoh atë kampione. Do punojmë për të ndërtuar lojtarë të cilët jo vetëm t’i shërbejnë Vllaznisë, por duhet të shkojnë edhe në ekipet kombëtare”./SHKODRA-SPORT.COM/