Edoardo Reja ka qenë një nga protagonistët e historisë së Napolit. Ish-trajneri i Shqipërisë ishte ai që ktheu napolitanët nga ferri i Serisë C deri në elitën e futbollit italian. Një rrugëtim i vështirë, siç ka treguar vetë tekniku në një intervistë për mediat italiane, duke u ndalur në disa etapa të tij, i bindur se gjithçka ka filluar pikërisht nga ai, kur mori skuadrën në sezonin 2004-2005.

“Këtë rrugëtim e kam nisur unë, kam mbetur shumë i lidhur si me qytetin, ashtu edhe me presidentin De Laurentis. Përtej raportit trajner-president, me kalimin e kohës jemi bërë miq. Dëgjohemi vazhdimisht.

Atëherë ai ishte një president i cili debutonte në botën e futbollit, shumë gjëra ishin në duart e Pierpaolo Marinos. Unë kisha një raport të mirë me të, më tha që duhej fituar, në Napoli nuk mund të humbësh. Ambienti ishte i mbushur me pritshmëri, Seria C u shkonte pak ngushtë.

Aty për aty nuk e kupton, por në ngjitjen në A kemi bërë një ecuri të mirë. Jemi përballur me ambiente të ndezura, në çdo kategori nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh. Më kujtohet që kishim gjithmonë 5-6 makina të blinduara të policisë që ndiqnin autobusin dhe 3-4 të tjera përpara. Një eksperiencë e vështirë por e bukur”, kujton Reja.

“Në ditën kur u ngjitëm në A, në Napoli na priti një lumë me tifozë, disa mbërritën deri në pistën e aeroportit duke kapërcyer çdo lloj barriere. Për të shkuar nga aeroporti deri në shesh me autobusin e hapur, na u deshën dy orë e gjysmë.

Protagonistët? Laveci ishte i shkurtër. Peshonte 80 kilogram. Më shumë se sa vraponte, rrotullohej. Ai ishte rreth 6-7 kilogram mbipeshë, por më tha se në pak kohë do t’i humbte të gjitha. Më kujtohet se dikush më pyeti se ku e kisha marrë një lojtar të tillë, por ai ua mbylli gojën të gjithëve. Hamshik ishte 18-vjeçar, nuk mendoja se mund të bëhej menjëherë titullar, por gjatë fazës përgatitore kuptova se kishte personalitet dhe siguri të madhe.

Një kthim te Napoli? Po, fillimisht De Laurentis më kërkoi që të merrja ekipin pas Maxarrit, pastaj u mundua të më bindte të merrja drejtimin e Barit. Në fakt është edhe një herë e tretë. Pak para se të bëhesha trajner i Shqipërisë, De Laurentis më kontaktoi që të bëhesha përgjegjësi i sektorit të të rinjve. Qëndrova atje një muaj, por nuk isha shumë i bindur nga projekti, ndaj nuk u bë asgjë”, tregoi Reja.