Lionel Mesi ka qenë kryefjala e mediave franceze dhe atyre botërore së fundmi. Shkak është bërë udhëtimi i tij në Arabinë Saudite, i cili u krye pa autorizimin e PSG-së. U mësua se klubi vendosi të pezullonte me disa ndeshje yllin argjentinas, që ka vendosur të thyejë heshtjen.

Mesi ka shpërndarë një video në rrjetet e tij sociale, ku i kërkon falje klubit dhe shokëve të skuadrës për situatën e krijuar, si dhe sqaron arsyen përse udhëtoi pa lejen e PSG-së. Një veprim që nuk kishte ndodhur kurrë më parë nga 7 herë fituesi i Topit të Artë.

“Përshëndetje! Doja të bëja këtë video rreth kësaj që po ndodh. Dua t’i kërkoj falje shokëve të mi dhe klubit.

Sinqerisht, mendova se do të kishim një ditë pushim siç ndodh gjithnjë pas ndeshjes. E kisha organizuar këtë udhëtim dhe nuk mund ta anulloja. E kisha anulluar më parë. I kërkoj falje shokëve të mi të skuadrës dhe po pres për atë çfarë klubi do që të bëjë me mua”, ka deklaruar Lionel Mesi.