Liga e Kampioneve në futbollin e femrave ka regjistruar sot një rekord të pabesueshëm pasi ka shënuar numrin më të madhe të personave që kanë ndjekur një ndeshje futbolli femrash. Një ngjarje e jashtëzakonshme, pasi është mbushur plot “Kamp Nou” për një ndeshje… çerekfinale.

Në fakt, nuk ishte një çerekfinale si të gjithë të tjerat pasi stadiumi legjendar priste “El Clasico” mes Barcelonës dhe Realit.

Por pakkush priste një interesim të tillë në këtë sfidë ku të pranishëm ishin shumë emra të njohur edhe të futbollit të meshkujve me Çavi e Pujol mes të tjerëve në tribunën VIP.

Barcelona fitoi 5-2 në këtë duel, i cili u ndoq nga 91553 spektatorë në shkallaret e “Kamp Nou”. Kështu, u thye rekordi i vendosur në Pasadena të SHBA, kur finalja e Botërorit 1999 mes SHBA vendase dhe Kinës u ndoq nga 90195 spektatorë.

Një arritje e jashtëzakonshme kur mendon se Reali zhvilloi ndeshjen e parë në stadiumin e qendrës stërvitore, me vetëm 3318 spektatorë të pranishëm.