Vllaznia nuk do të jetë e plotë as në takimin e së enjtes ndaj Partizanit. U prit që tekniku Plori të kishte formacionin e plotë për këtë takim, por me sa duket kapiteni Erdenis Gurishta nuk do të jetë pjesë e ekipit as në këtë përballje.

Mbrojtësi i krahut të djathtë mungon që nga sfida me Partizanin në kampionat dhe fillimisht u mendua se do të ishte gati për ndeshjen e Kupës, por shanset që ai të jetë në fushë janë thuajse zero.

Megjithatë, Gurishta pritet të jetë mungesa e vetme, ndërsa nga dëmtimet janë rikuperuar Jonuzi, Latifi e Da Silva, të cilët do të jenë për përballjen kundër Partizanit. Vllaznia do të kërkojë me çdo kusht të fitojë sërish Kupën për të arritur Europën, si rruga më e shkurtër për të bërë realitet një gjë të tillë.

PLANI I PLORIT – Një mungesë e tillë, por edhe rikthimet e disa prej lojtarëve titullarë që munguan në përballjen e fundit ndaj Egnatias, kanë bërë që tekniku Plori të ketë më shumë alternativa për sa i përket formacionit, që do të hedhin nga minuta e parë në takimin e së enjtes.

Nga sa mësohet, tekniku pritet që të luajë më një treshe në qendër të mbrojtjes dhe me dy lojtarë anësorë, që do të jenë sa në ndihmë të mesfushës në fazën ofensive dhe po aq në ndihmë të mbrojtjes në fazën defensive.

Zogoviç do të jetë në mbrojtje të katërkëndorit. Adili, Dianje e Bulatoviç do të jenë treshja e mbrojtjes, teksa në dyshen e krahëve pritet që të jenë Kruja nga e djathta e Hakaj nga e majta. Në mesin e fushës pritet që të rikthehet dyshja Krymi e Jonuzi.

I pari do të sakrifikojë për të qenë në fushën e lojës, ndërsa kuksiani do të kthehet si më parë pas dëmtimit të cilin e ka lënë pas. Pak para tyre pritet që të aktivizohet një tjetër lojtar i kthyer nga dëmtimi, braziliani Da Silva.

Pritet që ai të jetë një vlerë e shtuar për këtë sfidë. Dyshja e sulmit pritet që t’i besohet Latifit dhe Gjurgjeviçit, dy lojtarë, të cilët njohin mirë portat kundërshtare.

Megjithatë, tekniku Plori kësaj radhe do të ketë edhe një stol të plotë. Aralica, Mustedanagiç, Heriç, Çoba, Fangaj, e Smajli me shokë pritet që të japin një tjetër garanci në atë që skuadra do të kërkojë në këtë përballje.