Kombëtarja i mbylli dy ndeshjet miqësore me bilancin e një barazimi 0-0 me Gjeorgjinë dhe një humbjeje 2-1 kundër Spanjës. Rezultatet nuk ishin më të mirat e mundshme, por loja e zhvilluar bind dhe jep shpresë për të ardhmen.

Në një intervistë për emisionin “Sport Magazine”, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora Neës”, Andrea Marko ka analizuar kuqezinjtë. Ish-futbollisti shqiptar nuk e sheh Shqipërinë favorite në Ligën e Kombeve, si dhe kujton faktin se në 5 ndeshjet e fundit Kombëtarja numëron vetëm një fitore me Andorrën.

“Kemi një grup të këndshëm, por është ende herët për të pretenduar sidomos nëse mendojmë që do të shkojmë në Kampionat Europian përsëri. Liga e Kombeve? Nuk shikoj favoritë. I përjashtoj notat optimiste, përjashtojë pjesën e gurpit dhe optimizmit që ka grupi. Por nuk e shikoj që Shqipëria të jetë favorite, qoftë edhe në renditjen e FIFA-s. 

Besoj që Islanda, pavarësisht se u mposht 5-0 nga Spanja, po ia vë faktit që ishte ndeshje miqësore dhe impenjimit dhe mobilizimit. Po ti shikojmë si skuadra, Islanda dhe Izraeli janë skuadra shumë të forta. Më mirë po i referohem thënies së trajnerit spanjoll, i cili thotë që tashmë për të shkuar në Botëror apo Europian nuk ka më skuadra të lehta.

Nuk besoj që jemi të favorizuar. Unë besoj që jemi skuadra në një rang. Kemi hipur një grup më lart. Po i fituam të dyja ndeshjet në Shqipëri besoj që pjesën e dëshirës mund ta bëjmë realitet.

Asllani, pavarësisht se ishte i dëshiruar sepse ishte hera e parë që luante, unë e kam parë edhe me Empolin. Më tepër është i përkushtuar me Empolin, sepse karrierën andej e ka. Nuk them që nuk luajti mirë. Ishte përpara mbrojtësave, të paktën me saktësinë e topave ishte mirë.

Po ti referohemi rezultatit të Shqipërisë dhe të themi luajtëm mirë dhe morëm barazim, luajtëm mirë me Spanjën dhe humbëm… Po të shohim 5 ndeshjet e fundit kemi vetëm një fitore me Andorrën. Jemi mundur 5-0 me Anglinë, jemi mundur 1-0 me Poloninë, jemi mundur 2-1 në Spanjë.

Kështu që duhet të shkojmë edhe te rezultati. Është ai në fund të fundit që vendos nëse shkojmë në kompeticionet europiane apo botërore“, është shrpehur Andrea Marko./Sport Ekspres/