Kilian Mbape është padyshim një nga emrat që do të dëgjohet për shumë vite në arenën ndërkombëtare, pasi ka filluar karrierën e tij si pakkush tjetër duke lënë gjurmë në çdo turne ku ka marrë pjesë e duke u bërë që në moshë të re fitues i Kupës së Botës.
Por viti 2020 ka qenë me të vërtetë për t’u harruar për të, të paktën sa i përket Ligës së Kampioneve. Futbollisti i cili ka vendosur disa rekorde në këtë turne, duke qenë ndër më të rinjtë që shënon me rregullisht në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë, po mbush thuajse një vit që nga hera e fundit kur ka shënuar në aktivitetin në fjalë.
Për herë të fundit, Mbape ka gjetur rrjetën në fitoren 5-0 kundër Gallatasarajit, më 11 dhjetor. Që atëherë, ai ka regjistruar 9 ndeshje në të cilat nuk ka gjetur rrjetën në Champions.
Një statistikë shumë mbresëlënëse duke llogaritur se ai kishte shënuar 19 gola në 30 ndeshjet e tij të para në Ligën e Kampioneve, futbollisti më i shpejtë që arrinte një shifër të tillë. /vipsport.al/