Ronaldo Nazario është në krye të klasifikimit të shënuesve më të mirë deri në moshën 21-vjeçare. Legjenda braziliane është lojtari më i spikatur i kësaj grupmoshe, e cila në klasifikimin e 10 më të mirëve përfshin edhe adashin e tij Kristiano, i cili renditet në vend të nëntë.

“Fenomeni” shpërtheu në skenë në moshën 16-vjeçare, në vitin 1992, duke shënuar 44 gola në 47 ndeshje për Kruzeiron në vendlindjen e tij.

Me një formë të tillë, ai fitoi një vend në kombëtaren “Seleçao” në Botërorin e “SHBA 1994”, ku arriti të prekë trofeun, përpara se të transferohej te PSV Eindhoveni dhe pushtuar Europën.

Pasi fitoi “Topin e Artë” me fanellën e Barcelonës, ai shënoi 167 gola në 185 ndeshje me klubet dhe Brazilin. Sipas “Sportbible”, i vetmi futbollist që i është afruar më shumë Ronaldos përpara se të mbushte 21 vjeç është bashkatdhetari i tij Nejmar Zhunior.

Ylli i PSG-së shënoi 27 gola më pak në 42 ndeshje më shumë se R9 me Santosin dhe Brazilin përpara se në vitin 2013 të transferohej në “Camp Nou”, në moshën 21- vjeçare. Shoku i tij i skuadrës te PSG, Kilië Mbape, plotëson podin.

Ylli francez mbushi 21 vjeç vetëm në dhjetorin e shkuar. Ish-talenti i Monakos shënoi 116 gola në 199 ndeshje për klubet dhe kombëtaren e Francës, përfshirë edhe golin në finalen e Kupës së Botës 2018. Në Rusi, ai u bë edhe adoleshenti i parë që shënonte në finalen e Botërorit që prej Pelesë në 1958-ën.

Dyshja angleze Uejn Runi dhe Majkëll Ouen, janë gjithashtu pjesë e këtij klasifikimi, pasi shpërthyen në futbollin profesionist me skuadrat rivale të Mersejsajdit, Evertonin dhe Liverpulin. Por ndoshta fakti më surprizues është se Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo zbresin shumë poshtë në listë, në vend të tetë dhe të nëntë.

Ylli argjentinas dhe ai portugez, të cilët kanë fituar 11 “Topa të Artë” mes tyre, nuk kanë shijuar të njëjtat standarde astronomike në vitet e tyre të adoleshencës. Mesi, i cili ishte vetëm në hapat e parë për të ndjekur hapat e frymëzuesit të Barcelonës, Ronaldinjo, shënoi 51 gola në 140 prezenca me klubin dhe kombëtaren.

Menjëherë pas tij vjen CR7, i cili e nisi karrierën si një mesfushor krahu, përpara se të shndërrohej në një makineri golash. Ai u transferua te Mançester Junajtid në moshën 18-vjeçare dhe Ferguson e aktivizonte me pikatore pasi e solli nga Sportingu i Lisbonës: Deri në moshën 21-vjeçare ylli aktual i Juves shënoi 36 gola në 182 ndeshje.