HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIORERenditja/ Superiorja ul siparin për këtë vit, skuadrat mbeten të ngjeshura në...

Renditja/ Superiorja ul siparin për këtë vit, skuadrat mbeten të ngjeshura në krye

Kategoria Superiore ka mbyllur këtë vit kalendarik dhe skuadrat do të rikthehen në fushë në fundin e muajit janar, pas edhe minifazës që secila prej tyre do të zhvillojë. Edhe kjo javë e fundit e këtij viti konfirmoi se gara është e ashpër dhe se skuadrat e kanë të vështirë të shkëputen në krye. Kukësi, i cili kishte arritur të bënte diferencën duke nisur një shkëputje, u ndal nga Skënderbeu në barazim. Tashmë, kuksianët kryesojnë vetëm me një pikë diferencë nga Bylis, ndërsa rivalët e drejtpërdrejt si Tirana e Partizani janë vetëm tre pikë larg.

Të kuqtë edhe pse u mposhtën në tre takimet e fundit janë po aty dhe tre pikë janë mëse të rikuperueshme. Por, ajo që rikuperoi më shumë në këto tre javë të fundit ishte Tirana. Bardheblutë nën udhëheqjen e trajnerit të portierëve, Emanuel Egbo ia dolën të grumbullojnë nëntë pikë në tre ndeshje, duke mposhtur rivalë direkt si Partizani dhe Laçi, duke u rikthyer pretendentë.

Pikërisht, këta të fundit morën dy humbje radhazi dhe tashmë kanë rrëshkitur paksa në klasifikim. Ndërkaq, Laçi mbetet një “kockë e fortë” dhe gjashtë pikë nga kryesuesit nuk janë një rezultat i keq për këtë pjesë të luajtur. Ndërkohë, Teuta është rikthyer në shina me trajnerin Edi Martini. S

Shkodrani ka marrë dy fitore radhazi dhe iu është bashkuar grupit kryesues me 28 pikët e grumbulluara. Sakaq, Skënderbeu lëshoi terren në javët e fundit dhe e shikon veten në vendin e tetë, por korçarët kanë treguar se dinë të ringrihen.

Edhe Vllaznia është aty në të njëjtat pozita teksa i ka munguar vazhdimësia, sidomos në shtëpi. Luftëtari është në pozitë të vështirë dhe ndoshta merkato e janarit mund të kthejë shpresën në qytetin e ngurtë. Lufta për të mbijetuar do të jetë e vështirë.

Sakaq, Flamurtari e mbyll këtë vit si mos më keq. Kuqezinjtë janë në vendin e fundit të tabelës dhe kur mungon vetëm një javë nga përfundimi i gjysmës së kampionatit, ende nuk kanë marrë fitoren e parë. Situata në kampin vlonjat duket e pashpresë dhe vetëm një mrekulli mund t’i shpëtojë.

Pjesa e dytë e kampionatit premton luftë të ashpër për të gjithë objektivat që klubet kanë, ndërsa tashmë është koha të relaksohen dhe të mendojnë goditjet në merkato që mund t’i japin një tjetër marsh në kampionat. /VipSport/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments