Dritan Resulin e bind ky Flamurtar. Është në një linjë me administratorin Sinan Idrizi, kur thotë se 2023- shi i gjen në elitë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri thekson se synon të ecë sa më gjatë në Kupën e Shqipërisë. Sa i takon Gramozit, e cilëson ndeshje të radhës, që ka vlerën e tri pikëve.


Si është atmosfera në ekip pas kualifikimit në Kupë?

Ekipi po kalon një periudhë të mirë. Kjo gjë na motivon më shumë për vazhdimësinë dhe jemi më kërkues për të arritur objektivin tonë.


Është hera e parë që një ekip i Kategorisë së Dytë shkon në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. E prisnit?

Hera e parë, por ky është… Flamurtari. Ne jemi nga ato ekipe që jemi në elitën e ekipeve, për nga emri dhe nga historia. Me elementët përbërës të këtij ekipi nuk është rastësi, pasi nëse do t’u referohemi të dyja ndeshjeve, si në Vlorë dhe në Fushë-Krujë, ekipi ynë ka qenë superior.

Me Vllazninë në turin e radhës të Kupës…?

Në të gjitha ndeshjet ne hyjmë të marrim maksimumin dhe me mentalitet fituesi. Plus edhe elementët përbërës që ka ekipi, të japin besimin dhe prandaj do te synojme kete gje edhe ndaj Vllaznise.


E synoni Kupën e Shqipërisë?

Synojmë të ecim sa më lart edhe në Kupë. Kemi të gjithë kapacitetin e duhur për të dyja kompeticionet.


Të kthehemi te Kategoria e Dytë, këtë javë luani me Gramozin. E njihni kundërshtarin?

Gramozin nuk e njohim, por e respektojmë. Si çdo skuadër që ne ndeshemi, jemi duke u përgatitur seriozisht. Kualifikimi i Kupës ka përfunduar, tani jemi të përqendruar te java e 8-të.

Është kjo skuadra që ju doni?

Jam shprehur dhe e kam thënë që ekipi ka për të ndryshuar nga java në javë. Gjëja më pozitive është se edhe në ndeshjen kualifikuese me Kastriotin janë aktivizuar dy lojtarë 18-vjeçarë. Kemi një ndërthurje që po më bind. Edhe të rinjtë po u bashkohen vlerave dhe eksperiencës që kemi në skuadër.


Administratori i mëshon shumë projektin “Flamurtari 2023”. Si e lexoni?

Ne si staf dhe grupi i lojtarëve vlerësojmë shumë qëndrimin pranë të presidentit, pasi ka plotësuar të gjitha kushtet për vazhdimësinë. Detyra jonë është të bëjmë punë sa më të mirë nga ana profesionale. Besimin do ta kthejmë vetëm me seriozitet dhe punë. Nuk diskutohet objektivi që i kemi vënë vetes: 2023-shi të na gjejë në Kategorinë Superiore.