Flamurtari do të tentojë sot të surprizojë Vllazninë në Shkodër. Trajneri Dritan Resuli deklaroi dje për “Panorama Sport”, se kjo ndeshje mban aromë Superiore dhe se kuqezinjtë do të bëjnë gjithçka për kualifikimin.

“Dihet përgjegjësia e çdo ndeshjeje që luan Flamurtari. Ne e kemi në ADN që ekipi në fushë futet gjithmonë për të marrë maksimumin. Kjo gjë nuk diskutohet dhe ky është një mentalitet i lindur dhe i trashëguar, sepse dihet se kush është Flamurtari.

Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë ndeshje, sepse luajmë në të dyja frontet, kupë dhe kampionat. Kupa është prestigj, pasi është një ndeshje me aromë Superioreje. Flamurtari është ndërtuar për elitë. Përgjegjësia jonë dhe e lojtarëve është që të shkojmë në Shkodër dhe të ballafaqohemi si të barabartë.

Duhet të mbajmë lojtarët më në formë të kampionatit. Organika është e plotë, do të përzgjedhim ata lojtarë që kanë kondicionin më të mirë”, ka thënë fillimisht Resuli.