Bëhet gati revolucioni në Kategorinë e Parë. Ajo që shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, lajmëroi disa ditë më parë, dje ka marrë formë zyrtare. Drejtuesit e federatës kanë nisur takimet konsultative me përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë së Parë për ndryshimin e strukturës dhe formulës së këtij kampionati në vitet në vazhdim.
Gazeta “Panorama Sport” ka arritur të sigurojë propozimin e Federatës për ndryshimin e skemës dhe formulës së kampionatit të Kategorisë së Parë. Pritet që gjithçka të nisë nga sezoni i ardhshëm, ku në fund të kampionatit dy ekipet e fundit në çdo grup të bien direkt, ndërsa vendi i 8-të në të dyja grupet të luajë një ndeshje “Play-Off”-i me vendin e 2- të në Grupet A dhe B të Kategorisë së Dytë.
Në këtë mënyrë, në sezonin 2020- 2021 të mbeten nga nëntë ekipe për çdo grup. Edhe në këtë kampionat të përdoret e njëjta skemë dhe në sezonin 2021-2022 të jetë vetëm një grup me nga 16 ekipe. Ndërsa klubet kanë propozuar që pas një sezoni të vendoset për ndryshime edhe në lidhje me ekipet që ngjiten.
Ato kanë propozuar që të luajnë “Play-Off” edhe klubet e tjera poshtë vendit të parë. Dhe nga të dyja grupet të dalë fitues vetëm një ekip, që më pas të luajë ndeshje “PlayOut”-i me vendin e tetë të Superiores. Megjithatë, gjithçka është në kuadër të propozimeve.
Ka shumë mundësi që propozimi i Federatës të shkojë në miratimin përfundimtar nga Komiteti Ekzekutiv. Objektivi i institucionit të futbollist është që t’i japë shumë rëndësi kriterit të licencimeve të klubeve, që edhe ekipet e Kategorisë së Parë të përafrohen me ato të Superiores.