Rreth tij ka patur jo pak zhurmë por njëkohësisht edhe kritika për mënyrën si u lejua të largohej nga Vllaznia janarin e vitit të kaluar. Partizani nxitoi ta merrte duke e konsideruar një element shumë të rëndësishëm për të ardhmen, por duket se gjërat nuk kanë shkuar mirë për këtë lojtar dhe ai mund të rikthehet sërish në Shkodër.

Madje ai sot ka luajtur për 45 minuta me Vllazninë në miqësoren ndaj Laçit. Bëhet fjalë për futbollistin Senad Hysenaj. I dalë nga Akademia Vllaznia, ai u mor nga të kuqtë një vit më parë dhe në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ka qenë në vëmendjen e stafit teknik, madje shpeshherë edhe i grumbulluar në 18-she.

Por me ardhjen e trajnerit Skënder Gega në krye të Partizanit, gjërat nuk kanë shkuar mirë për të. Ai jo vetëm që nuk është preferuar prej tij, por madje ka kaluar tek ekipi “B” ku ka luajtur rregullisht dhe ndonëse me të ka qenë protagonist duke shënuar edhe shumë gola.

Megjithatë sërish jashtë vëmendjes dhe për këtë arsye, prej dy ditësh mbrojtësi i majtë i është bashkuar Vllaznisë në stërvitje. Sot ka luajtur në pjesën e dytë të miqësores ndaj Laçit, por këtë herë është preferuar në mesfushë nga trajneri Lika.

Ende nuk dihet cila do të jetë e ardhmja e këtij lojtari, nëse do të qëndrojë tek kjo skuadër apo do të kthehet sërish tek Partizani me të cilin është ende nën kontratë.
© shkodrasport.com