Federata Shqiptare e Futbollit është duke bërë seleksionimet e futbollistëve të rinj të cilët do të përbëjnë Kombëtaren U20 më pas dhe pas grumbullimit të bërë ditën e djeshme, do të zhvillojë një tjetër ditën e shtunë.

Madje këtë herë do të ketë një ndeshje miqësore ndaj Besës së Kavajës. Interesant është fakti se baza e këtij ekipi do të jenë futbollistët e Akademisë Vllaznia. “Provën” e parë e kanë kaluar plot 6 futbollistë të ekipit U19 që drejtohet nga trajneri Luan Zmijani.

Dhe ata do të vazhdojnë të jenë më vëmendjen e stafit teknik të kësaj kombëtareje. Bëhet fjalë për portierin Kristi Qarri, mbrojtësit Elmir Lekaj e Serjan Repaj, mesfushorët Uheid Hoxha e Eridon Qardaku si dhe sulmuesin Akileu Ndreca.

Të gjashtë këto futbollistë janë njoftuar sot nga Federata që të shtunën në orën 12.00 të jenë në stadiumin “Besa” të Kavajës për këtë miqësore. Fakti që plot gjashtë futbollistë të Akademisë Vllaznia do jenë në përbërje të Kombëtares U20 për këtë ndeshje, tregon më së miri se ata vërtetë e meritojnë këtë gjë.

Jo më kot drejtuesit e Akademisë kanë ngritur zërin për më shumë futbollistë nga ekipet e saj në kombëtaret e moshave sepse kanë treguar se janë më të mirët në Shqipëri.

Gjashtë futbollistët e mësipërm janë prej dy vitesh kampionë të Shqipërisë me moshën e tyre dhe po ashtu edhe në kampionatin aktual sërish janë pretendentët numër 1 për t’u shpallur sërish kampion. Kjo do të thotë se në vendin tonë ata janë më të mirët dhe për këtë arsye, meritojnë të jenë në Kombëtare.
© shkodrasport.com