Vit i ri, Juve e vjetër… Në pritje të asaj “së resë” që do të lindë zyrtarisht më 18 janar, kur të zgjidhet Këshilli i Ri Administrativ dhe të emërohet president Xhanluka Ferrero, që do të marrë trashëgiminë e Andrea Anjelit.

Ndërkohë, ndeshja e parë pa presidentin e 12 viteve të fundit shkoi siç e do tradita e trajnerit me të cilin Anjeli ka pasur edhe lidhjen më të fortë: 1-0 në Kremona, një sukses në milimetrin e fundit, e cila shpluhuros edhe thënien e vjetër domethënëse: “Në fillim të mendojmë të mos pësojmë, më pas një gol e shënojmë gjithsesi. Dhe me suksesin e së mërkurës mbrëma numri i fitoreve radhazi është ngjitur në 7, të gjitha pa pësuar gol.

Skuadra e fundit që ka mundur t’i bëjë keq Juventusit ka qenë vetëm Milani, më 8 tetor, 2-0, në “San Siro”. Por nga aty e në vazhdim kanë ardhur 21 pikë të plota dhe 13 gola të shënuar (katër suksese me nga 1-0 ndaj Torinos, Leçes, Veronës e Kremonezes, por edhe 2-0 ndaj Interit, 3-0 ndaj Lacios dhe 4-0 ndaj Empolit). Juventusi nuk është i bukur për t’u parë, luan një futboll që nuk është tërheqës për syrin, por është shumë konkret. E thënë ndryshe, është totalisht “alegriane”, duke qenë se falë serisë së fundit konfirmohet mbrojtja më e mirë në Itali, me vetëm 7 gola të pësuar, të paktën 6 më pas sesa dy mbrojtjet e tjera më të mira që janë Lacio dhe Napoli.

Ndoshta po, nuk është se shkëlqen në sulm me vetëm 25 gola të shënuar pas 16 javëve (shumë pak kundrejt 37 të Napolit, 35 të Interit dhe 31 të Milanit), por ndoshta mund të mjaftojë edhe kaq për t’u rikthyer bindshëm në luftë për titullin kampion. A do të jenë të aftë ta bëjnë këtë? Ku i dihet, edhe pse nga 16 sfidat e deritanishme, në 11 prej tyre e ka mbajtur portën të paprekur dhe ky është një rekord europian (njësoj si Barcelona), ndërsa pretendentet e tjera për titull numërojnë shumë herë më pak ndeshje pa gola të pësuar (Napoli 6, Interi 5 dhe Milani 4).

Në të njëjtën kohë, ky Juventus i periudhës së fundit (nga 8 tetori 2022) po tregohet edhe shumë më i fortë sesa emergjenca totale, duke kujtuar se në infermieri qëndrojnë futbollistë me shumë bagazh si Di Maria, Vlahoviç, Pogba, Bonuçi, Kuadrado (plus De Shiljo e Kaio Zhorzh), të cilët nëse do t’u mungonin skuadrave të tjera, nuk dihet nëse do të kishin mundur që të bënin një seri kaq pozitive sa e Juventusit.

Madje, lajmet e mira edhe nga stafi mjekësor nuk mungojnë, sepse Pogba pritet të kthehet për 1 muaj maksimumi, Di Maria që me Udinezen, apo javën tjetër edhe Bonuçi e Vlahoviç priten në dispozicion. Shkurt, Juventusi duhet të durojë edhe pak… Të mos gabojë me Udinezen këtë fundjavë dhe, pse jo, të vazhdojë të mbështetet fort te shprehja “në fillim të mendojmë të mos pësojmë”, pasi gjithçka mund të ndodhë…