Vllaznia duket “e dashuruar” me trajnerët e huaj. Pas përzgjedhjes një vit më parë të gjermano- kroatit Thomas Brdariç për pankinën e ekipit të parë, përzgjedhje kjo që rezultoi shumë e suksesshme, ata tashmë kanë zyrtarizuar një tjetër të huaj.
Bëhet fjalë për anglezin Dean Paul Sibson. Atij i është besuar drejtimi i ekipit U21 të Vllaznisë. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi shkodran pak minuta më parë.
35 vjeçari britanik do të mbërrijë këto ditë në Shkodër për të nisur punë me ekipin, ndërkohë që në krahun e djathtë do të ketë shkodranin Ergi Borshi që do të kryejë detyrën e zëvendëstrajnerit por edhe të video- analistit të ekipit, pasi disponon liçensën përkatëse.
Sibson mësohet se ka një përvojë në futbollin e moshave në vendin e vet, ndërsa tashmë do të mbërrijë në Shqipëri, për t’iu përkushtuar punës me ekipin Vllaznia U21.
Ky është një tregues se drejtuesit e klubit shkodran do të përqendrohen gjithnjë e më tepër tek elementi i ri dhe për këtë arsye do t’i kushtohet shumë vëmendje dhe treguesi më i mirë për këtë, është ardhja e anglezit Sibson./SHKODRA-SPORT.COM/