HomeFUTBOLLRoma dhe Mourinho shkruajnë historinë në Tiranë, italianët mposhtin Feyenoord në Air...

Roma dhe Mourinho shkruajnë historinë në Tiranë, italianët mposhtin Feyenoord në Air Albania

Roma bën histori në stadiumin Air Albania të Tiranës teksa fiton edicionin e parë në historinë e Conference League. Italianët u treguan më cinikë në 90-minutat e Air Albania-s teksa shfrytëzuan një gol të Nicolo Zaniolos në minutën e 32-të duke fituar trofeun e parë europian pas Kupës së Panairëve në vitin 1961. Ndeshja në fakt, nisi e qetë ashtu siç luhen finalet. Munguan rastet e pastra dhe të dyja skuadrat ishin duke studiuar njëra-tjetrën ndërsa trajneri Jose Mourinho në minutën e 18-të humbi për arsye dëmtimi Mkhitaryan.

Gjithsesi, në rastin e parë të rrezikshëm, verdhekuqtë ndëshkuan holandezët me Zaniolon që mori topin bukur në zonë pas një pasimi të Mancinit dhe me klas kaloi portierin Bijlow. Goli ndezi gjakrat e lojtarëve në fushë që patën edhe një moment tensioni, megjithatë sërish munguan rastet. Fraksionin e dytë, Feyenoord e nisi me një marsh më shumë ndeshjen dhe menjëherë krijuan dy raste të pastra brenda tre minutave ku goditën dy herë shtyllën.

Gjithsesi, Roma pati fat dhe e kaloi momentin e vështirë falë edhe ndërhyrjeve të portierit Rui Patricio që ruajti portën e paprekur. Në minutat në vazhdim, Roma pati një mundësi të artë me Pellegrinin për të mbyllur llogaritë e sfidës, por kapiteni goditi dobët. Gjithsesi, Roma i mbijetoi sulmeve të holandezëve dhe fitoi trofeun e Conference League në stadiumin Air Albania.

Sakaq, vlen të theksohet edhe fakti se trajneri Mourinho, bëhet i pari trajner që fiton tre kompeticione të UEFA-s; Champions League, Europa League dhe tashmë Conference League. Kështu, Tirana i sjell fat Romës dhe teknikut portugez që tashmë i pret një festë e madhe e merituar për një sezon që mbyllet me një trofe të rëndësishëm për klubin verdhekuq.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments