Shkodra dhe Vllaznia kanë qenë dhe do të jetë gjithmonë vatër talentesh në çdo sport dhe kuptohet edhe në futboll. Emrat e dalë prej tyre kanë lënë gjurmë dhe prandaj mbeten të veçantë.

Sa i takon futbollit, një “yll” i ri duket se po lind. E kemi fjalën për Nebi Qokthin, një futbollist që ditën e djeshme ka marrë vlerësime maksimale edhe në turneun ndërkombëtar të zhvilluar në Selanik të Greqisë ku mori edhe trofeun si “LOJTARI MË I MIRË” i aktivitetit, ndonëse pjesmarrës aty ishin edhe sportistë të CKSKA të Moskës, PAOK, Olimpiakos, Panathinaikos etj.

Vendimi i organizatorëve ka qenë unanim për ta shpallur futbollistin e Vllaznia U12 si më të mirin dhe padyshim që në ceremoninë e organizuar në fund të turneut, ai ka marrë edhe duartrokitjet e të gjithëve.

Bjondi shtatëshkurtër spikat me mënyrën si luan, me teknikën e tij të lartë dhe zgjuarsinë në fushë. Suksesi në turneun e Selanikut nuk është rastësi. Vitin e kaluar ka qenë pjesmarrës në një turne në Spanjë nën drejtimin e trajnerit Edi Martini dhe Qokthi ka spikatur edhe atje me paraqitjet e tij.

Ajo që mbetet është se të gjithë flasin mirë për të. Se çfarë do të ndodhë në vijim, askush nuk mund ta thotë me siguri. Ky lojtar e ka talentin për t’u bërë një futbollist i madh. Pastaj janë shumë gjëra që e pasojnë atë. Dëshira e tij për të punuar me këmbëngule, sakrifica e familjes për t’ia plotësuar kërkesat, por edhe aftësia e trajnerëve dhe drejtuesve të Vllaznisë për ta rritur ashtu si duhet.

Ajo që ju sugjerojmë është ta mbani mend këtë emër. Brenda pak vitesh me siguri që do të dëgjojmë lajme të mira për Nebi Qokthin.
© shkodrasport.com