Napoli pëson humbjen e dytë sezonale dhe sërish në ‘San Paolo’, këtë herë 2-4 përballë Romës, në një sfidë delikate për titullin.

Në përballjen me verdhekuqtë, skuadra e Sarrit jo vetëm që nuk arriti të marrë 3 pikët e domosdoshme për të qenë e qetë në krye, por humbi edhe një nga lojtarët kyç për ndeshjen e ardhshme ndaj Interit, në ‘San Siro’, belgun Dries Mertens, që u ndëshkua me karton të verdhë.

Napolitanët gjetën shumë shpejt avantazhin, me anë të Lorenzo Insignes, që këtë mbrëmje mbante edhe shiritin e kapitenit.

Sulmuesi zhbllokoi rezultatin në minutën e 6’, por vetëm një minutë më pas, Cengiz Under baraspeshoi shifrat, pas një gjuajtjeje të devijuar në rrjetë nga Mario Rui.

Në minutën e 26’ ishte Edin Dzeko ai që i dha avantazhin kryeqytetasve dhe bëri që në ‘San Paolo’ të pllakosë heshtja.

Napoli u përpoq të rikthehet dhe krijoi disa mundësi të mira, por portieri brazilian, Alisson u bë sërish protagonist, me disa pritje fantastike, që mbajtën në lojë Romën.

Atë që nuk e bënë napolitanët, e bëri sërish Dzeko, që pasi la në vend Mario Ruin, goditi nga jashtë zone dhe gjeti cepin e portës së Reinës, në minutën e 73-të.

Edhe goli i 4-t i skuadrës së Di Francescos, pati sërish si protagonist negative mbrojtësin e majtë të Napolit, që një krosim pa pretendime të verdhekuqve, e uli dhe e shndërroi në një asist për Perottin, me argjentinasin që çoi rezultatin në 4-1, vetëm 10 minuta nga fundi.

Dries Mertens shënoi në minutën e dytë shtesë golin që ka vlera vetëm statistikore, ndërsa për t’u veçuar është fakti se publiku napolitan përkrahu skuadrën dhe e brohoriti gjatë, pavarësisht humbjes.

Minutat e mbetura sollën vetëm tentative të dëshpëruara të skuadrës së Sarrit, që sot më shumë se kurrë ndjeu mungesën e Ghoulam në krahun e majtë të mbrojtjes, pasi zëvendësuesi i tij nuk mundej të bënte më keq në këtë sfidë.

Tani napolitanët mbeten në krye të renditjes, me 69 pikë, një më tepër se Juventusi ndjekës, por bardhezinjtë kanë luajtur një ndeshje më pak. Nga ana tjetër, Roma shkon përkohësisht në vendin e 3-të, me 53 pikë, në pritje të derbit Milan-Inter, të dielën në mbrëmje.