Pol Pogba ishte bërë gati të largohej nga Mançester Junajtid, Mino Raiola, menaxheri i tij, shkoi deri aty sa filloi të fliste hapur për një kthim të mundshëm te Juventusi.

Por gjithçka ka ndryshuar shumë shpejt, pasi Mançester Junajtid, ka gjetur mënyrën për të bindur francezin që të mos largohet.

Afrimi i Kristiano Ronaldos ka ndryshuar atmosferën në klub dhe të gjithë yjet tashmë mendojnë se kanë më shumë shanse të kthehen në krye në kampionat, apo të ecin shumë në Champions.

Por jo vetëm kaq. Mançester Junajtid duket se ka përballuar mirë krizën e COVID dhe tashmë është gati të kthehet të bëjë diferencën edhe me pagesat e lojtarëve.

Kështu, sipas ”L’Equipe”, francezi në mënyrë të papritur duket se po shkon drejt rinovimit me skuadrën e tij aktuale.

Meritë jo vetëm e planit sportiv, por edhe atij ekonomik, pasi klubi po bën gati një ofertë marramendëse prej 20 milionë eurosh në vit. Ajo do ta bënte Pogba një prej më të paguarve në Premier Ligë, duke kënaqur edhe Mino Raiolën, kërkesat e të cilit gjithmonë janë jashtëzakonisht të larta.