Çiklistët e Vllaznisë janë bërë sërish protagonistë dhe fitues në një tjetër aktivitet të organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit. Ka ndodhur kështu në garën e kupës “26 Marsi” që kjo Federatë ka organizuar në bashgkëpunim me Bashkinë Kavajë, pikërisht në ditën e ardhjes së demokracisë në këtë qytet. Kanë marrë pjesë në të sportistët më të mirë të vendit, mes të cilëve edhe ata të Vllaznisë që kanë bërë sërish një tjetër paraqitje të mirë.

Ndonëse me moshë shumë të re, ata kanë arritur të pedalojnë rrotë më rrotë me të rriturit dhe vetëm finishi i ka ndarë ata. Ndonëse gjatë gjithë rrugës ka patur tentativa për t’u shkëputur, sportistët kanë shkuar në grup deri në mbërritje. Dhe pikërisht aty, janë përcaktuar më të mirët në sprintin final. I pari që ka prekur vijën e mbërritjes ka qenë çiklisti i Apolonisë Kristel Sota me kohën 2h26’14”. Ai ka lënë më pas Olsion Veliajn e Tiranës dhe Altin Sufajn e Apolonisë që kanë mbërritur me nga një sekondë vonesë. Pas tyre, menjëherë ka mbërritur Bruno Kola i Vllaznisë i cili ka qenë më i mirë në kategorinë juniorë dhe pas tij kanë mbërritur dy çiklistët e tjerë të këtij ekipi, Kledison Cani dhe Alfons Rrashkadoli. Siç shikohet edhe nga renditjet. fituesit e kësaj gare kanë qenë ekipi i Apolonisë për të rritur, i drejtuar nga trajnerët Kiço dhe Armando Kalemi, si dhe ai i Vllaznisë për juniorë, i drejtuar nga trajnerët Leonat Kola dhe Hilmi Lala, të cilët kanë rezultuar më të përgatiturit edhe në këtë aktivitet. Drejtuesit e Federatës kanë vlerësuar paraqitjen e ekipit shkodran edhe në këtë aktivitet duke evidentuar elementin cilësor të tij por edhe punën shumë të mirë që bëhet me ta.

Renditja për të rriturit:

1. Kristel Sota (Apolonia)    2h26’14”
2. Olsion Veliaj (Tirana)            + 1″
3. Altin Sufaj (Apolonia)           + 2″

Renditja për të rinj:
1. Bruno Kola     (Vllaznia)    2h26’16”
2. Kledison Cani (Vllaznia)          + 1″
3. Alfons Rrashkadoli (Vllaznia)    + 2″