Vllaznia prej një jave e gjysëm ka nisur përgatitjet për ndeshjet europiane dhe gradualisht organika e skuadrës ka ardhur duke u plotësuar. Ajo që ka rënë në sy gjatë këtyre ditëve ka qenë mungesa në stërvitje e mesfushorit Ardit Krymi.
Nga ana e klubit nuk ka patur asnjë komunikatë për situatën e tij, e po ashtu edhe lojtari nuk është shprehur askund se çfarë po ndodh me të. Ajo që dihet është se lojtari është nën kontratë me Vllazninë deri në qershor të vitit 2027.
Megjithatë burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Shkodra, ndoshta edhe për shkak të një raporti jo shumë të mirë me trajnerin Martini e kjo u pa qartë në ndeshjen e fundit me Elbasanin.
Tek Vllaznia duket se janë duke i bërë planet me të dhe kjo do të thotë se mesfushori 30 vjeçar nuk mund të largohet kollaj përderisa ka kontratë, gjithsesi duhen pritur ditët në vazhdim për të mësuar më shumë në lidhje me këtë çështje. Të mos harrojmë se kemi të bëjmë me një nga futbollistët më stabël tek Vllaznia në dekadën e fundit teksa ka luajtur mbi 300 ndeshje në kampionat me fanellën kuqeblu.


