Ylli portugez Cristiano Ronaldo u zotua se do të qëndrojë në Arabinë Saudite edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht se nuk arriti të fitojë trofe që nga transferimi i tij.Nënshkrimi i Ronaldos në janar për Al Nassr është pasuar nga spekulime sa për sa kohë do të qëndrojë atje.

Klubi që më së shumti aludohej në media ishte Neëcastle United, që është në pronësi të sauditeve, i cili tani është kualifikuar në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm.Por 38-vjeçari ka folur në një intervistë për kanalin zyrtar të Pro Ligës Saudite, ku ka konfirmuar se do të qëndrojë.

“Jam i lumtur këtu, dua të vazhdoj këtu, do të vazhdoj këtu. Sipas mendimit tim, nëse ata vazhdojnë të bëjnë punën që duan të bëjnë këtu, për pesë vitet e ardhshme, mendoj se liga saudite mund të jetë një nga pesë ligat më të mira në botë”, ka thënë Ronaldo.

14 golat e Ronaldos në 16 paraqitje në ligë ishin të mjaftueshëm vetëm për vendin e dytë.Në janar, ish-lojtari i Manchester United, Real Madrid dhe Juventus nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare e gjysmë që thuhet se vlen më shumë se 400 milionë euro.

Ronaldo në intervistë pranoi se disa gjëra në Arabinë Saudite e kishin befasuar, duke përfshirë seancat stërvitore të vona natën gjatë muajit të agjërimit të Ramazanit.

“Në Evropë ne stërvitemi më shumë në mëngjes, por këtu stërvitemi pasdite, ose në mbrëmje dhe në Ramazan stërvitemi në 10 të natës”.

“Pra, kjo është kaq e çuditshme, por siç ju thash, këto situata janë pjesë e një eksperience, kujtimesh. Më pëlqen të jetoj këto momente sepse mëson nga këto gjëra”.

“Prisja të fitoja diçka këtë vit, por nuk e bëmë, por vitin e ardhshëm jam vërtet pozitiv dhe i sigurt se gjërat do të ndryshojnë dhe ne do të shkojmë më mirë”, përfundoi asi portugez. /Telegrafi/