Cristiano Ronaldo ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat, ku ka folur për një sërë çështjesh rreth tij, duke filluar që nga atmosfera në Itali, zhgënjimi me Topin e Artë, etj., ndërsa në fund i ka lëshuar sfidën edhe Lionel Messit.

Torino – Një qytet i dashur, me njerëz shumë xhentilë, ku kalohet vërtetë mirë. Këtu lojtarët janë të bashkuar dhe mund të them pa dyshim se është ndoshta grupi më i fortë ku kam bërë pjesë. Edhe në Madrid ishim të bashkuar, por këtu është diçka komplet ndryshe. Luajmë dhe sakrifikojmë të gjithë bashkë, pa u kujdesur për objektivat personalë. Impresionet e mia të para janë vërtetë fantastike.

Champions me Juven – të gjithë duam ta fitojmë, pasi dihet tashmë që klubit i mungon prej vitesh ky trofe. Gjithsesi nuk duhet të shndërrohet në një obsesion, ashtu siç ishte Championsi i 10 në Madrid.

Allegri: Është një trajner shumë inteligjent, që di të kontrollojë grupin, por njëkohësisht të fitojë simpatinë dhe respektin e futbollistëve të tij. Cilësia e tij më e mirë është që flet direkt, duke u referuar me emra, duke mos lënë vend për keqkuptime.

Topi i Artë për Modriç – Të jem i sinqertë, unë mendoj se e meritoj ta fitoj çdo vit, për atë që bëj në fushën e lojës, megjithatë Luka e meritoi plotësisht dhe i uroj suksese. Megjithatë edhe vitin e ardhshëm unë do të jem mes pretendentëve, pasi punoj shumë për këtë.

Messi – Do të më pëlqente të bënte siç bëra unë, të pranonte sfidën dhe të vinte të Itali. Por nëse ndihet mirë në Katalunjë, atëherë është vendimi i tij. E respektoj shumë, pasi është një djalë i shkëlqyer, por këtu nuk më mungon aspak.

Derbi me Torinon – Një magazinier sot në mëngjes më tha: Të lutem, fitoni ndeshjen me Torinon, për ndryshe gjyshja ime…. Kam kuptuar se juventinët nuk pranojnë të humbasin dy prej takimeve, derbin me Torinon dhe sfidën me Interin.