Ambasadori i klubit Manchester United, Denis Irwin, beson se portugezi Cristiano Ronaldo po bëhet më i mirë me kalimin e viteve. Irwin ka deklaruar se legjenda e kthyer në klub nuk është në asnjë mënyrë një 36-vjeçar i zakonshëm.

Unitedi me krenari njoftoi të martën për transferimin e yllit portugez në “Old Trafford” dhe tifozët e klubit në të gjithë botën kanë festuar që atëherë. Në fakt Ronaldo gjatë këtyre ditëve do t’i bashkohet Unitedit në stërvitje, kurse debutimin pritet ta bëjë më 11 shtator, në ndeshjen kampionale në shtëpi kundër Newcastle Unitedit. Ai sërish do ta bartë fanellën me numrin shtatë, të cilën ia liroi uruguaiani Edinson Cavani.

Si shpjegoi Ronaldo në intervistën e tij pas firmosjes së kontratës, kthimi i tij në United nuk ka të bëjë me të kaluarën. Ai është tërësisht i fokusuar në të ardhmen dhe ka garantuar edhe më shumë suksese për ekipin anglez.

Arritjet e fundit të Cristianos mbështesin besimin se ai po bëhet edhe më i fortë. Ai ka përfunduar golashënuesi më i mirë i Serie A sezonin e kaluar, përpara Zlatan Ibrahimoviqit dhe Romelu Lukakut. Ronaldo gjithashtu fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë në Kampionatin Evropian dhe këtë javë u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në nivel përfaqësuesesh.

Ai shënoi dy gola në fund të ndeshjes për t’ia siguruar fitoren 2:1 Portugalisë që ishte në disavantazh përballë Irlandës së Veriut. Me këto gola Ronaldo arriti në kuotën e 111 golave për Portugalinë, duke lënë pas vetes Ali Daein e Iranit që për një periudhë të gjatë e mbajti rekordin me 109 gola të shënuara.

Irwin pa dyshim se po mbështeste irlandezët të mërkurën në mbrëmje, por heroi i Unitedit ishte i mahnitur nga përpjekjet e Ronaldos. Ish-mbrojtësi me padurim pret ta shoh yllin portugez me fanellën e kuqe përsëri.

“Unë mendoj se të gjithë e dinë se Ronaldo është një golashënues fantastik, ai gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë. Ai po bëhet gjithnjë e më i mirë në atë drejtim”, tha Irwin të enjten. “Njerëzit mund t’i vënë në dyshim aftësitë e tij, sepse është 36 vjeç, por ai me të vërtetë është kujdesur për veten. Kështu që jam i bindur se Ronaldo nuk është një 36-vjeçar i zakonshëm”, koha tv.

Irwin është i bindur se Ronaldo nuk do ta ketë problem të vazhdojë me shënimin e golave në Premier League, gjë që e ka bërë me sukses vitet e fundit në Serie A dhe në La Liga. Ronaldo iu bashkua Unitedit nga Juventusi, ekip për të cilin luajti prej vitit 2018.

“E di që Premier League është liga më fizike në botë, janë 90 minuta me ritëm dhe ai nuk është i njëjti lojtar që ishte kur iu bashkua për herë të parë Unitedit. Por ai me siguri do të shënojë gola në Premier League këtë sezon dhe unë mendoj se tifozët e Unitedit janë shumë të ngazëllyer për ardhjen e tij”, shtoi Irwin.

“Ne duhet të kujtojmë se ai pati gjashtë vjet të mrekullueshëm te Unitedi në fillim të karrierës, u bë nga një djalë në një burrë dhe vazhdoi të bëjë gjëra të mëdha në Real Madrid dhe Juventus, me teknika të ndryshme dhe cilësi të ndryshme në secilën ligë. Ai e njeh Premier Leaguen dhe unë mendoj se tifozët e Unitedit po e presin me padurim, sikurse unë, që ta shohin me fanellën e kuqe”.

Të dy golat ndaj Irlandës, Ronaldo i shënoi me kokë. E loja e tij e fortë në ajër nuk është aspak çudi për Irwinin. Sipas tij, fiziku i fortë i Ronaldos ia mundëson shkëputjen e lartë dhe fitimin e pothuajse çdo dueli në ajër.

“Ai erdhi te Unitedi në vitin 2003 si një sulmues krahu që u rrit në një lojtar fantastik me kalimin e viteve duke u shndërruar më shumë në një golashënues. Ai është një lojtar shumë, shumë i zgjuar, një lojtar fantastik, i cili është aq i mirë në ajër. Fatkeqësisht irlandezët nuk mund ta mbanim atë dhe ai shënoi dy gola fantastike me kokë.

Për mendimin tim ai është qendërsulmuesi më i mirë dhe më i kompletuar”, insistoi Irwin. “Në dy vjetët e fundit ishte golashënuesi më i mirë i Serie A dhe në Kampionatin Evropian. Kjo është dëshmi se sulmi i Unitedit me Ronaldon do të jetë shumë më i rrezikshëm dhe më efikas”.

Ronaldo në periudhën e parë luajti për Unitedin prej vitit 2003 deri në vitin 2009, përpara se të transferohej te Real Madridi. Ai me fanellën e ekipit anglez ka fituar nëntë trofe, përfshirë tre tituj kampioni të Anglisë dhe një trofe të Ligës së Kampionëve./abcnews/